Të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, pas mbylljes së shkollave dhe situatës së krijuar nga koronavirusi, Suhejli dhe Almiri, dy vëllezër nga Durrësi, nxënës të klasës së gjashtë dhe të tretë, po përshtaten me gjendjen e pazakontë për ta.

Një pjesë të mirë të paradites e zënë mësimet online, ndërsa pjesën tjetër me ndihmën e mamasë së tyre, Ornelës e kanë kthyer në argëtim, duke gjetur kënaqësi dhe në gjërat e vogla.

“Për hir të së vërtetës janë ditë të vështira, po mundohemi t’ia kalojmë mirë. Mundohemi që çdo ditë të bëjmë diçka ndryshe, siç ishte kjo kënga. Suhejli ka shkruar tekstin dhe e këndojmë bashkë”.

Ne kemi bërë dhe pantomimë dhe kemi gjetur të mirat e koronavirusit. Është pak e çuditshme, por ama ka. Një nga të mirat kryesore është higjiena personale. I kemi larë shumë shpesh duart, qëkur ka ardhur koronavirusi.

-Mbajtja e distancës.

“Nuk pështyjmë kurrë në rrugë dhe prindërit i kushtohen më shumë fëmijëve. Gjithë ditën”.

Ornela, që është dhe mësuese në gjimnazin “Naim Frashëri” të Durrësit tregon se si po përpiqet bashkë me familjen e saj ta shfrytëzojë sa më mirë kohën në izolim.
“Mundohemi të shohim çdo gjë në anën pozitive. Si mësuese jam në kontakt të vazhdueshëm me nxënësit e mi. Duke u dhënë mësime online dhe duke iu përgjigjur dhe duke u qëndruar pranë se dhe ata po e përjetojnë këtë situatë. Thuajse është shkolla ditë normale”.

Në kushtet e izolimit ata përpiqen që dhe me sende rrethanore të krijojnë lojëra të reja që e mbajnë familjen bashkë dhe të angazhuar.

“Ne luajmë bashkë në darkë me familjen. – Ne hedhim topin në gotë. – basketboll në kushte shtëpie. Marrim një gotë plastike dhe hedhim topin brenda dhe krijojmë një lojë. Gjejmë diçka tjetër dhe krijojmë një lojë. Me fleta formati krijojmë avionë dhe fluturojmë në të gjithë botën”.

Edhe ndërtimi i një qarku elektrik, si një projekt shkolle, është kthyer në kënaqësi për Suhejlin dhe Almirin. Ndaj nxitojnë ta tregojnë.

Në këto javë izolimi, mungesa e shokëve dhe mësueses, ndjehen më shumë nga Almiri. Në çdo detyrë që bën nuk harron t’i shkruajë mësueses se e do shumë dhe se është mësuesja më e mirë në botë.

Kriza e krijuar nga pandemia e koronavirusit i ka bërë familjet të kalojnë më shumë kohë bashkë, të lexojnë më shumë dhe të përpiqen të gjejnë kënaqësi dhe te gjërat e vogla, me dëshirën se kjo situatë do të kalojë shpejt.

Top Channel