Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett një takim të mbyllur, në të cilin thuhet të ketë pasur një “shkëmbim të hapur pikëpamjesh”. Në një deklaratë për shtyp u theksua se dy zyrtarët kanë diskutuar mocionin e mosbesimit për rrëzim të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën.
“Presidenti Thaçi dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që procedurat e mëtejshme për formimin e një qeverie të re duhen bazuar plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur rolin vital të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces”, nënvizohej mes të tjerash në deklaratë. Përveç çështjeve politike, përgjatë takimit është thënë se janë respektuar përpjekjet e institucioneve të Kosovës për luftën kundër koronavirusit të ri.
Aktualisht në Kosovë raportohet për 86 persona të infektuar me Covid-19. Deri tani atje nga koronavirusi ka vdekur një person. Përpara rrëzimit, Qeveria e Kurtit shpalli gjendjen e emergjencës për shëndetin publik. Ajo po ashtu mori vendim për kufizimin e lëvizjes në vetëm disa orë në ditë, masë me të cilën nuk u pajtua presidenti Thaçi, i cili ka kërkuar interpretim kushtetues të këtij vendimi. Qeveria e Kosovës u rrëzua të mërkurën me 82 vota për 32 kundër dhe një abstenim. Presidenti deklaroi se nga e hëna do t’i thërrasë partitë politike për konsultim, lidhur me formimin e qeverisë së re.
Top Channel