Vijon shpërndarja e ndihmave ushqimore në çdo shtëpi, Veliaj pranë familjeve në Vishnje

26/03/2020 16:19

Veliaj: “Qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, do u dërgojmë ne pakot ushqimore; Prioritet për banesat e reja kanë familjet që jetojnë në çadër”.

Edhe sot ka vijuar shpërndarja e pakove ushqimore pranë familjeve në nevojë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në zonën e Vaqarrit, ku dorëzoi pakot me ushqime familjes me 15 anëtarë të Hasan Agës, familjes së Medi Agës, dhe të Luan Zelës, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Një prej familjeve që morën ndihma ushqimore ishte dhe ajo e hallës së Dëshmorit të Atdheut, Feti Vogli, banesa e së cilës është dëmtuar nga tërmeti.

Kreu i Bashkisë siguroi banorët se për çdo nevojë do të kenë pranë gjithë shërbimet sociale, ndërsa u kërkoi atyre që të qëndrojnë në shtëpi pasi ndihmat do të dërgohen në çdo banesë.

“Duhet t’u themi njerëzve se nuk duhet të shkojnë te Njësia, se vijmë ne nëpër shtëpi. Një prej tyre të jetë i infektuar, infekton gjithë stafin, po edhe të tjerët. Duhet t’i themi rrini në shtëpi, që të vijmë aty t’ua sjellim ndihmën”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se po vijon pune edhe me projektin për rindërtimin e shtëpive. Veliaj theksoi se po identifikohen dosjet e atyre që plotësojnë kriteret për të marrë të parët banesat e reja, ku prioritet do të kenë familjet që jetojnë në çadër.

“Duhet të bëhen listat e familjeve që janë në çadër, se porosia e kryeministrit është që shtëpitë e para që do bëhen do i marrin këta që po jetojnë në çadër jashtë. Kështu që, ta dinë edhe këta, se nëse dikush ka një dëmtim, do marrë kompensimin, ndërsa dikush që është me qira, kur të bëhen pallatet, do marrin hyrje tjetër sipas metrave katrore. Kurse në fillim fare do ju japim prioritet atyre që janë në çadër”, tha Veliaj.

Të gjitha njësitë administrative të Bashkisë së Tiranës kanë krijuar grupe pune dhe bashkë me ndërlidhësit dhe kryepelqtë po evidentojnë dhe shpërndajnë ndihma në të gjitha familjet në nevojë. Vetëm në Vaqarr janë mbi 130 familje që përfitojnë në këto ditë të vështira, ku 50 prej tyre jetojnë në çadër.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel