Spital i ri karantinë/ Do përshtatet një ndërtesë e konfiskuar nga shteti

26/03/2020 19:33

Këto godina janë pjesë e një universiteti privat tashmë të mbyllur. Që prej 6 vitesh, i gjithë ky kompleks universitar ka qëndruar bosh. Duke nisur nga ditët në vijim këtu do të nisë puna për adaptimin e këtyre ambienteve në një spital karantinë me 100 shtretër nëse do të rritet numri të prekurve me Covid 19.

Gjatë një vizite në ambientet e brendshme kryeministri Edi Rama deklaroi se mbase nuk do të jetë nevoja por ne duhet të jemi të përgatitur për çdo zjarr.

“Pasi ta bëjmë këtë spital, kemi mundësi që të fillojmë menjëherë lehtësimin për çdo eventualitet. Nuk kemi pse mbajmë në spitalin e vijës së parë atje njerëz që janë në kushte të lehtësuara shëndetësore. Menjëherë i spostojmë këtu dhe aty kemi një situatë që i lehtëson edhe mjekët edhe infermierët,” tha Rama.

Ministrja Ogerta Manastirliu shpjegoi me detaje  si do të funksionojë ky spital karantinë.

“Kjo është pjesë e skenarit të katërt, pasi në skenarin e parë, të dytë dhe të tretë janë struktura të tjera në spitalet publike, ndërsa ky do të shërbejë si një spital-karantinë me një organizim të asistencës bazë mjekësore”.

Të gjitha këto ambiente janë private e si të tilla shteti duhet të paguante për përdorimin por kjo nuk do të ndodhë pasi bazuar në Aktin Normativ Nr.3 datë 15.03.2020,  me propozim të ministrit të shëndetësisë  parashikohet  vendosja në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë,  të këtij objekti, deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë.

Top Channel