Shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, merren masa të jashtëzakonshme, kompenson gjithë të dëmtuarit

25/03/2020 00:56

Qeveria shqiptare shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Marrja e këtij vendimi nënkupton se, qeveria dhe bashkitë kanë detyrim ligjor të kompensojnë të gjithë qytetarët të prekur nga fatkeqësia natyrore.

Në ligjin “Për Mbrojtjen Civile” përcaktohet se,” “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit.” Ky ligj përcakton se, Në varësi të llojit të emergjencës vendore qeveria duhet të marri masa të tilla si:

Caktimin e objekteve shtetërore për tu vënë në shërbim të qytetarëve që të strehohen, Evakuimin e qytetarëve, Vendosjen e tyre në zona të sigurta.
Në nenin numër 41 të ligjit thuhet se: Qeveria dhe bashkitë kanë detyrim ligjor të kompensojnë të gjithë qytetarët të prekur nga fatkeqësia natyrore. “Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie, thuhet në këtë nen”.

Kërkesa për shpalljen e gjendjes se fatkeqësisë natyrore u bë edhe nga Partia Demokratike, e cila reagoi menjëherë pas këtij vendimi. “Partia Demokratike përshëndet vendimin për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, 5 ditë pas kërkesës zyrtare të kryetarit të opozitës Lulzim Basha.

Akti i shpalljes së masës së jashtëzakonshme duhet plotësuar pa humbur më asnjë ditë nga qeveria me vendimin për masat e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe dëmet dhe subjektet që kompensohen. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, është detyim i shtetit shqiptar të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie”, thotë Partia Demokratike.

Top Channel