Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve mos të përkrahin mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti, përkundër që këtë mocion e ka iniciuar LDK-ja, partia e saj. Kryeparlamentarja tha se Kosova s’ka nevojë për një qeveri teknike pasi nuk e ka legjitimitetin e qytetarëve.

Në një konferencë për medie, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, Osmani tha se ka pasur dhe ende ka hapësirë për dy partnerët e koalicionit për të gjetur një zgjidhje dhe vendi mos të ketë krizë politike.

Osmani: I bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos të përkrahin këtë mocion

“Unë kam shprehur qëndrimin kundër mocionit, për shkak se kam besuar se nga 6 tetori e tutje në veçanti, por edhe para 6 tetorit që e vetmja mënyrë që vendit tonë t’i sigurojmë qeveri me legjitimitet. Qeveri q ë në vetveten ka të përfshirë njerëz, jo vetëm që nuk janë të korruptuar, por edhe në mënyrë aktive e luftojnë krimin dhe korrupsionit. Edhe një qeveri që do t’ia hap derën Kosovës ndërkombëtarisht pikërisht duke u fuqizuar nga brenda…absolutisht nuk e përkrahi këtë mocion, i bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos të përkrahin këtë mocion. As nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t’i prodhojë Kosovës një qeveri tjetër që ka legjitimitet dhe sfidat që ballafaqohet Kosova. Kosova nuk ka nevojë për një qeveri e cila nuk ka legjitimitet demokratik dhe do të përfshijë në vet veti parti që LDK ka thënë se nuk do të hyj në koalicion me to”, theksoi Osmani.

Përkundër që organet kompetente kanë rekomanduar se seanca plenare nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e një seance, Kryeparlamentarja tha se nesër pritet të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Osmani: Kryesia ka vendosur që seanca të mbahet nesër në orën 11:00

“Përkundër këtij rekomandimi që salla plenare nuk do të mundet t’i plotësoj kushtet dhe rekomandimet e organeve profesionale. Megjithatë me shumicë, katër vota për dy kundër kryesia ka vendosur që seanca të mbahet nesër në orën 11:00”, tha ajo.

Kryetarja e Kuvendit Osmani i cilësoi si të rrezikshme thirrjet e presidentit Hashim Thaçi karshi qytetarëve për mos respektim të vendimeve të qeverisë. Derisa bëri thirrje atyre që t’i respektojnë gjitha masat që i ka vendosur qeveria

Osmani: Thirrjet e djeshme të presidentit janë të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve

“Si kryetare e Kuvendit në radhë të parë, por edhe si përfaqësuese e qytetarëve të Kosovës e kam vlerësuar thirrjen e djeshme të presidentit të Republikës që mos të respektohen vendimet e qeverisë si të paprecedent dhe të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ajo.

E pyetur se a do të vazhdojë të qëndrojë në postin e kryeparlamentarës edhe pas rrëzimit të qeverisë, Osmani tha se do të vendos pas seancës së nesërme.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se në kohën kur qeveria është duke luftuar virusin Covid 19, kundërshtarët politik kanë lidhur aleancë mes veti për të rrëzuar qeverinë.

Selimi: Kundërshtarët tanë politikë kanë lidhur aleancë mes vete, kurse ne po e luftojmë koronavirusin

“Në kohën kur ambasadorët e Quintit kërkojnë dhe liderët politikë të përqendrohen në luftën kundër Covid 19, oponentët tanë janë të përqendruar në luftën kundër qeverisë. Pra janë të përqendruar më shumë kundër qeverisë se sa kundër virusin Covid 19. Kundërshtarët tanë politikë kanë lidhur aleancë mes vete, kurse ne po e luftojmë koronavirusin”, tha ai.

Në seancën e nesërme mediat dhe mysafirët nuk pritet të jenë të pranishme, pasi në hapësirat e tyre do të vendosen deputetët për të respektuar distancën mes njëri tjetrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA