Top Talk/ CEO i Spitalit Amerikan Klodian Allajbeu: Ofrojmë tamponë me rimbursim nëse do të jetë e nevojshme

24/03/2020 17:37

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje me “Skype”, CEO i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu. Në studio u fol në lidhje me koronavirusin që ka kapluar të gjithë botën dhe së fundmi edhe vendin tonë.

Duke parë që rastet po shtohen çdo ditë dhe më tepër, shqetësimi i qytetarëve qëndron nëse ndonjëri prej tyre, mund të jetë i infektuar me COVID-19. Mirëpo deri më tani shteti nuk i ka ofruar teste për të gjithë, por vetëm për personat që kanë shfaqur simptoma. Lidhur me këtë shqetësim, drejtuesi i emisionit Denis Dyrnjaja, pyeti administratorin e Spitalit Amerikan Klodian Allajbeun, duke i thënë se sa të gatshëm janë ata, për të ofruar testimin e tamponëve për qytetarët dhe nëse ky shërbim do të kryhet kundrejt parave, apo çdo gjë do të jetë falas. Allajbeu u shpreh se deri më tani rrjeti i Spitaleve Amerikan nuk e ofron një shërbim të tillë, por janë të gatshëm ta kryejnë nëse është e nevojshme. Për sa i përket tarifës, ende nuk është vendosur, nëse spitali do të rimbursohet nga shteti, apo pagesa duhet të kryhet nga vetë pacientët që duan të përfitojnë këtë shërbim.

Denis Dyrnjaja: Ka një debat të madh për çështjen e tamponëve që duket se janë me pakicë, për testimin masiv të popullatës. Meqë shteti nuk i ka këto mundësi, pse nuk angazhoheni juve si spitale private, ose sipërmarrje private në shëndetësi. A mund të ndodh kjo?

Klodian Allajbeu: E para nuk mendoj që shteti ka me pakicë tamponët dhe nuk mendoj që ka një problematikë për gjetjen e tamponëve. Më shumë se sa është strategjia që taks-forca ka vendosur për të aplikuar, që testimi i personave të bëhet vetëm në momentin që ka shfaqje klinike të sëmundjes. Kështu që nëse do të ketë diçka, do të duhet një ndryshim strategjik i menaxhimit të epidemisë, më shumë se sa pengesa për gjetjen e tamponëve. Ne si privat jemi të gatshëm ta ofrojmë këtë çdo moment që do të duhet.

Denis Dyrnjaja: Ju dispononi mundësi, kapacitete, për ta ofruar si shërbim tamponin për ekzaminim.

Klodian Allajbeu: Patjetër. Në momentin që Ministria e Shëndetësisë do të ketë një kërkesë të tillë, ne jemi të gatshëm që t’i bashkëngjitemi me gjithçka dhe me testimin. Ashtu siç e kam vënë në dukje më parë, ne kemi përgatitur Spitalin Amerikan nr. 2, si një spital potencial sipas kërkesave në ditët në vijim për ta vendosur në dispozicion të trajtimit të pacientëve me COVID.

Denis Dyrnjaja: Nëse unë vij në Spitalin Amerikan për të marrë tamponin duhet të paguaj apo është një shërbim falas sikurse e ka shteti. Si është konceptuar kjo gjë.

Klodian Allajbeu: Nuk e ofrojmë sot si shërbim, por i kemi të gjithë kapacitetet që ta ofrojmë.

Denis Dyrnjaja: Por do të jetë me pagesë apo jo.

Klodian Allajbeu: Ajo varet, mund të ketë rimbursim nga fondi i sigurimeve, mund të jetë me pagesë nga njerëzit direkt. Deri sa nuk na është kërkuar një shërbim i tillë.

Top Channel