Ka gjithsej 240 mijë të infektuar dhe mbi 10 mijë të vdekur nga koronavirusi, një pandemi që po i detyron njerëzit të ndryshojnë rutinën e përdithshme në çdo aspekt. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mariama Diallo flet në materialin në vazhdim mbi distancimin social, një nga temat e një diskutimi të hapur me ekspertë të organizuar nga Zëri i Amerikës:
Për të respektuar distancimin social, të gjithë pjesëmarrësit në diskutim u lidhën përmes internetit nga pika të ndryshme. Në një kohë kur po bëhet më reale mundësia e një recesioni global dhe popullata kudo në botë është këshilluar të vetë-izolohet, ekspertët këmbëngulin se është koha që të gjithë të ndjekim një rutinë të re ditore.
Jason Farley është ekspert i sëmundjeve infektive: “Është e nevojshme që publiku ta ketë të qartë se edhe për ata që janë nën 60 vjeç dhe përballen me rrezik më të vogël, dhe sa më të rinj, aq më i vogël rreziku, persona me probleme ekzistuese, pacientë me sistem imunitar të reduktuar, janë në rrezik nga komplikimet që sjell ky infeksion”.
Dr. Kamiar Alaei me Institutin e Shëndetit Ndërkombëtar thotë se në një kohë kur publiku nganjëherë merr mesazhe çorientuese lidhur me rrezikun nga kjo sëmundje, i takon qeverisë të rifitojë besimin e popullatës: “Nëse nuk kemi angazhimin e publikut, sidomos në nivel komuniteti, nuk do të arrijmë ta vëmë nën kontroll sëmundjen. Si mund të rifitojmë besimin e publikut? Mendoj se e vetmja mënyrë është të informojmë më shumë njerëzit, të tregohemi transparentë me rezultatet dhe të tregojmë se jo vetëm një pjesë e popullatës, por të gjithë mund të jenë të rrezikuar”.
Ekspertët mjekësorë thonë se simptomat mund të shfaqen 2-14 ditë pasi personi është infektuar. Kjo e ndërlikon situatën. Dr. Ingrid Katz e Institutit për Shëndetin Global pranë Universitetit Harvard thotë se një ndër sfidat kryesore të çdo vendi është që ta bëjnë izolimin social praktikë kyçe:
Skype Ingrid Katz – Instituti i Shëndetit Global, Universiteti i Harvardit
“SARS dhe Ebola apo epidemi të tjera masive që janë diskutuar në këtë kontekst ndryshojnë nga koronavirusi pasi shfaqin simptoma të dukshme që në fillim, ndërsa COVID-19 ka një periudhë disa ditëshe kur personi është ngjitës por nuk shfaq simptoma, ose ka simptoma fare të lehta”.
Ky fakt, thotë ekspertja, është thelbi që duhet të udhëzojë të gjitha politikat e kontrollit të sëmundjes./VOA
Top Channel