Bechetti fiton gjyqin/ Arbitrazhi heq pezullimin e gjobës 110 milionë euro për Shqipërinë

24/03/2020 19:36

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Uashington hoqi pezullimin e ekzekutimit te gjobës 110 milionë euro kundër Shqipërisë për konfliktin me biznesmenin italian, Francesco Bechetti.

Vendimi i pezullimit ishte marrë me 27 gusht të vitit 2019. Në 24 prill, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për konfliktet e investimeve, e njohur ndryshe si ICSID, e gjobiti Shqipërinë me 110 milionë euro për konfliktin me biznesmenin italian, Francesco Beccheti.

Por edhe pse vendimi është i formës së prerë, Gjykata e cila është pjesë e bankës botërore, lejon ankimimin kur plotësohen disa kushte të caktuara. Ky është mekanizmi që ka shfrytëzuar Qeveria shqiptare për të kërkuar anulimin e vendimit dhe shfuqizimin e gjobës.

Kërkesa e Avokaturës së Shtetit për anulimin e gjobës është pranuar nga Gjykata në datën 27 gusht dhe menjëherë Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Gjykate ka njoftuar të dy palët e përfshira në konflikt, si Qeverinë shqiptare ashtu dhe biznesmenin Becchetti, për pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të gjobës. Shqipëria u mbrojt nga Avokatura e Shtetit Foley Hoag, një studio amerikane nga më të njohurat në botë për mbrojtjen e shteteve në konfliktet gjyqësore.

Ndërkohë me 23 mars e njëjta gjykata e hoqi pezullimin, duke lënë në fuqi gjobën e madhe për shtetin shqiptar. Konflikti nisi pasi Shqipëria prishi kontratën koncesionare mes Shqipërisë dhe kompanisë së italianit Francesko Becchetti për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Vjosë. Kontrata ishte nënshkruar shumë vite më parë por për shkak të zvarritjeve, kontrata u prish në mënyrë të njëanshme.

Top Channel