Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, shprehet rreth dakordësisë së sotme të Këshillit të Përgjithshëm mbi çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë:

“Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të nisin bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë. Në këtë mënyrë BE tregon, se vlerëson përpjekjet e kryera nga Shqipëria, para së gjithash në kuadër të reformës në drejtësi.

Ky vendim është një gur i rëndësishëm kilometrik për Shqipërinë në drejtim të anëtarësimit në BE. Në krizën e rëndë aktuale të corona-virusit ai është një shenjë e rëndësishme optimizmi për rrugën e përbashkët drejt të ardhmes. BE do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë dhe rajonit, Gjermania do të vijojë me vendosmëri angazhimin e saj si partner dypalësh.

Vendimi skicon njëkohësisht edhe rrugën e reformave të mëtejshme, në të cilën do të duhet të ecë Shqipëria muajt e ardhshëm, në mënyrë që t’i jepet udhë konferencës së parë të anëtarësimit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në këtë rrugë reformash.”

Top Channel