Ahmetaj: Në këtë pikë nuk bëjmë dot parashikime për ecurinë e virusit

24/03/2020 20:49

Zëri i Amerikës: Çfarë përfshin në mënyë të detajuar paketa financiare e qeverisë për të përballuar krizën e shkaktuar nga koronavirusi në ekonomi?

Arben Ahmetaj: Kriza është pandemi dhe një krizë ekonomike e përshpejtuar, si rrjedhojë e këputjes ose ngadalësimit të zinxhirit ekonomik. Shqipëria për shkak të strukturës ekonomike dhe mungesës së dhjamit në trupin e vet ekonomik, është nga ato vende që e merr goditjen menjëherë. Në aspektin e humbjes së të ardhurave llogariten 80-90 milion dollarë humbje brenda një periudhe 20 ditore, në mars dhe muaji tjetër nëse do vazhdojë kështu, dhe ashtu siç duket situata do të vazhdojë kështu, besoj që do ketë një humbje tek 120 milion dollarë. Ne parashikojmë që deri në fund të qershorit të kemi humbur afërsisht 400 milion dollarë që e përkthyer në përqindje të të ardhurave për ta kuptuar të gjithë është gati 10% e të ardhurave. Pra humbjet janë dramatike. Është njëlloj si ai trupi që ka plagë të hapur dhe vazhdimisht rrjedh gjak dhe ndërkohë pulsi vazhdon të bjerë. Përpjekja për të ndaluar këtë më besoni është kolosale në të gjitha aspektet. Unë po i referohem paketës, masave shtrënguese që kemi marrë, për të siguruar gjithshka të shkojë mirë në furnizimin e popullatës. Pika e parë është garancia prej 100 milion dollarësh që ne kemi afruar për sipërmarrjen, për biznesin që të paraqitet si klient pa asnjë rrezik tek dera e bankës dhe të financohet drejtpërsëdrejti për pagesat e pagave bruto të punonjësve përmes sistemit bankar. Nuk e merr kesh nga banka dhe ikën. Do jepet kredia e garantuar nga buxheti i shtetit, me një interes të ulët dhe ato para do t’i shkojnë punonjësve në llogarinë e tyre drejtpërsëdrejti, e kufizuar vetëm për paga.

Zëri i Amerikës: Sipërmarrjet shqiptare dihet që më së shumti kanë probleme me qëndrueshmerinë financiare dhe likuiditetet. A mund bankat të japin kredi nëse këto kompani nuk janë të shëndetshme?

Arben Ahmetaj: Në rastin konkret riskun e merr buxheti i shtetit, sepse bëhet garant dhe instrumenti do jetë afatmesëm për t’i lënë mundësi sipërmarrjes, në një stinë më të mirë se kjo të paguajë kredinë në bankë me interesa të ulëta.

Zëri i Amerikës: Po hapi tjetër i paketës financiare cili është?

Arben Ahmetaj: Hapi tjetër është një paketë që unë do ta detajoj, prej 120 milion dollarësh e ndarë në 20 milion dollarë e dedikuar në aspektin humanitar, pra ndihmë me barna me ushqime, për kategori të ndryshme në nevojë. Brenda Ministrisë së Mbrojtjes ekziston një shtab që ka në përbërje dhe bashkitë dhe kombinimi do të jetë midis buxhetit të shtetit dhe organizatave joqeveritare humanitare, për të ndihmuar qytetarë në nevojë, dhe familje në nevojë në të gjithë Shqipërinë. Ne marrim një raportim të përditshëm për ndihmën dhe deri tani janë ndihmuar afro 10 mijë familje. Garantojmë se asnjë familje nuk do të jetë vetëm, pa ushqime pa barna pa marrë pensionin apo pa marrë ndihmën ekonomike.

Zëri i Amerikës: Si përcaktohen familjet në nevojë, në mënyrë që shpërndarja e ndihmave të jete e drejtë, dhe cilat kategori përfitojnë?

Arben Ahmetaj: Një kategori përfituese është komuniteti rom, një komunitet tjetër janë gjithë familjet në nevojë që praktikisht kanë si të ardhur nga buxheti I shtetit që është ndihma ekonomike, e cila është modeste për të hir të së vertetës në këtë kohë. Pensionistët e vetmuar janë përfitues. Pra ky 20 milion dollarë është i fokusuar me profil komplet humanitar. 25 milion dollarë të tjera, i janë vendosur Ministrisë së Shëndetësisë, në dispozicion për pajisje, barna apo emergjenca spitalore dhe shëndetësore që mund të ketë urgjenca kombëtare. Ndërkohë një fond tjetër i konsiderueshëm është dhe ai prej 65 milion dollarësh i cili fokusohet në ndihmë të biznesit të vogël, që është mbyllur për shkak të gjendjes apo të asaj papunësie që krijohet rishtas, që sigurisht ne shpresojmë të jetë e përkoshme e vlerësuar nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve. Ne kemi krijuar një task forcë kur drejtoresha e përgjithshme e tatimeve, zv ministrja e financave përgjegjëse për punësimin, së bashku një grup të ministrisë së shëndetësisë praktikisht që nga e hëna verifikojnë papaunësinë e krijuar rishtas dhe bëjnë propozime.

Zëri i Amerikës: Cila është skema e verifikimit të papunësië për shkak të mbylljes së binzesve si pasojë e krizës së Kovidit 19?

Arben Ahmetaj: Rreth 31 mijë sipërmarrje të vogla janë mbyllur. Të hënën ne kemi patur gjithë punësimin e referuar dhe papunësinë e referuar për shkak të sezonit nga biznesi i madh dhe biznesi i vogël. Këto verifikohen nga tatimet, që kur të përcaktojmë ndihmën, të targetojmë ata që kanë më shumë nevojë. Task forca që ju përmenda pak më lart, punon vetëm në këtë aspekt, për të verifikuar ditë pas dite çfarë ndodh në terrenin ekonomik, kryesisht me punësimin.

Zëri i Amerikës: Si përcaktohen shumat e kompensimit të pagesës për ata që kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës?

Arben Ahmetaj: Shumat janë të limituara. Në bazë të numrave të papunësisë ne rakordojmë nëse do të jetë gjysmë page minimale, do të jetë një pagë minimale, do të jetë 1.5 paga minimale apo më shumë, pra në varësi të numrave. Këto janë planifikime të momentit, sepse dinamika e virusit ndryshon përditë. Asnjë nga qytetarët nuk arrin të shohë përpjekjen që bëjmë ne për të siguaruar anën tjetër, pra atë financiare.

Zëri i Amerikës: Sa medohet të jetë shifra e të papunëve për shkak të kësaj krize?

Arben Ahmetaj: Gjithë punësimi në Shqipëri është 723 mijë, ndërkohë që urdhëri nr 193 i ka një listë të detajuar të maturuar të kategorive të sipërmarrjes, që janë të lejuara të punojnë normalisht, si p.sh, sitemi bankar, prodhimi i gjithë duke ruajtur distancat sanitare, transporti i mallrave, bujqësia, kuptohet patjetër shëndetësia, policia siguria, por ne po flasim për prodhimin, që zinxhiri ekonomik të ngadalësohet po jo të thahet. Në hapat e parë ne mendojmë që do ketë një papunësi diku mes 40-50 mijë e menjëhershme që do verifikohet në javën e parë të muajit prill. Unë e thashë dhe më parë që virusi ka dinamikën e vet, por 50 mijë për Shqipërinë është shumë. Dhe nëse kjo shkon 80 mijë dhe 90 mijë ne jemi duke folur një humbje e punësimit në nivele 12%, nuk është pak. Edhe për një vend të pasur nuk është pak. Shifra prej 65 milion për paunësinë ka një rezervë përtej hapit të parë prej 40-50 mijë të papunë. Nëse nuk vazhdon dinamika kaq agresive, dhe masat e forta funksionojnë atëherë dhe reduktimi i humbjes të jetë në porporcion të masave që jemi duke marrë. Aty do llogarisim do na duhen 65 milion dollarë apo do kalojmë në nje skenar tjetër. Ne nuk arrijmë të mbështesim çdo njeri, jemi në luftë, do mbështesim ata që kanë më shumë nevojë. Se nga njëra anë humbet të ardhura dhe nga ana tjetër bën shpenzime me kufij të lartë shkon në kolaps ekonomik.

Zëri i Amerikës: A ka detaje të tjera paketa e ndihmës?

Arben Ahmetaj: Kemi dhe një 10 mln dollarë i cili është rezervë e këshillit të Ministrave për ndonjë të papritur, siç është dhe situata tani që për shkak të dinamikës mund të kemi një të papritur që nuk e kemi parashikuar. Paketa vazhdon me shtyrjen e tatim-fitimit për gjithë biznesin e vogël për 6 mujorin tjetër në varësi të situatës me fshirjen e kamatvonesave për 211 mijë familje dhe shkon në 150 mln dollarë. Paketa financiare arrin 2.13 % të prodhimit të brendshëm bruto.

Zëri i Amerikës: Sa mendohet të rritet borxhi publik? Ekspertët mendojnë një shifër diku tek 400 mln euro.

Arben Ahmetaj: Po të kufizoheshim tek kjo shifër do isha i lumtur.

Zëri i Amerikës: Pra situata është më rëndë se kaq?

Arben Ahmetaj: Mundet të jetë, varet nga dinamika. Asgjë nuk parashikojmë dot.

Zëri i Amerikës: Fundi i muajit qershor është skenari A?

Arben Ahmetaj: Po është skenari A.

Zëri i Amerikës: Po për turizmin keni menduar? Ndikimi i tij në PBB është i ndjeshëm me afro 26%. Ai është tërësisht i bllokuar.

Arben Ahmetaj: Këta janë punonjësit brenda paketës 65 mln dollarë. Po sigurisht që ne të bëjmë ndihma të tjera financiare sot s’kemi mundësi.

Zëri i Amerikës: Mjaft biznese kanë mbetur të pakënaqur nga paketa juaj dhe kanë artikuluar kërkesa që shkojnë përtej paketës tuaj. Keni një përgjigje sot për ta?

Arben Ahmetaj: Unë nuk e kam parë kurrë Shqipërinë në ditë kaq të vështira, megjithë eksperiencën time modeste, prej 3 dekadash. Menaxhimi, që po bën qeveria situatës, menaxhimi që i bëri kryeministri u ndoq dhe nga vendet e tjera. Ne bast me virusin nuk hedhim dot janë punë përtej nesh. Unë besoj se për shkak të masave të shpejta që ndërmori kryeministri dhe qeveria ne kemi bërë një frenim. Dhe në anën tjetër po i kthej përgjigje pyetjes për biznesin. Këtu bëhet fjalë për jetën e njerëzve. Unë e kuptoj shumë mirë biznesin. Sado të jepnim ne, jo 1.20 miliard lekë, por edhe 12 miliard dollarë prap të pakënaqur do ishin. Qeveria po i përgjigjet me përpikmëri dhe me shumë kujdes dhe maturi gjithë kërkesave të biznesit. Lista e kategorive të sipërmarrjeve që janë lejuar të punojnë është konseguecë e punës së përbashkët me ta. Po humbet gjithë Shqipëria. Ne skenarin A ne parashikojmë të humbasim gjysmën e rritjes ekonomike. Në variantin B mund të kalojmë në recesion. Do doja të mos shkojmë aty, por gjithsesi këto janë parashikime.

Top Channel