89 doza me kokainë dhe më shumë 7000 euro me vete, arrestohet 43-vjeçari

24/03/2020 10:15

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas angazhimit në zbatimin e masave për parandalimin e COVID-19, vijojnë punën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në cilëndo fushë që ajo shfaqet.

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Start 1”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Është vënë në pranga poseduesi, njëherazi edhe shpërndarësi i lëndës narkotike.

Sekuestrohen dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë, një motor dhe një shumë e konsiderueshme parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në bazë të hetimit të ndjekur me metoda speciale të hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Start 1″, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:

E. V., 43 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap në flagrancë gjatë operacionit, në lagjen nr. 15 Durrës. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 89 doza me kokainë, 7615 euro, 50.000 lekë të reja që dyshohet se ishin të përfituara nga shitja e kokainës, si dhe motorin që përdorte për të shpërndarë lëndën narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, njofton policia.

Top Channel