Në komunikimin e përditshëm për publikun, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Ogerta Manastirliu konfirmoi se harta e prekjes nga koronavirusi është zgjeruar dhe bëri apel për qytetarët të respektojnë masat e distancimit social.

“Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja pozitive, në 45 testime të kryera. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet tashmë edhe në Vlorë, Shkodër dhe zgjerohet në Tiranë, Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik, si Lushnja, Kavaja, Fieri, Rrogozhina ku po punohet pa u ndalur nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e transmetimit të infeksionit. Kemi dhe një lajm të mirë në këto ditë të ngarkuara, sot kanë lënë shërbimin infektiv dhe 2 pacientë të tjerë, duke e çuar në 5 numrin e të shëruarve”, bëri të ditur Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, informoi në detaje për situatën e COVID-19 në Shqipëri

Janë shënuar 2 humbje jete në 24 orët e fundit: Një 71 vjeçar me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 43 vjeçar, i cili kishte obezitet.
Shkon në 4 totali i qytetarëve që kanë humbur jetën, të prekur me COVID-19.
Janë shëruar 5 pacientë të shtruar në spitalin, te cilët kanë rezultuar me të dy testet të negativizuara për COVID-19.

Deri në këto momente testuar 856 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 104 raste.
Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

• Tiranë 68 qytetarë
• Durrës 7 qytetarë
• Lushnje 2 qytetarë
• Elbasan 2 qytetarë
• Fier 12 qytetarë
• Rrogozhinë 2 qytetarë
• Kavajë 3 qytetarë
• Korçë 3 qytetarë
• Vlorë 4 qytetarë
• Shkodër 1 qytetarë

Top Channel