Teksa situata e Covid-19 paraqitet shqetësuese ne mbarë globin por dhe në vendin tonë, zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko bën thirrje të kemi kujdes me lajmet e rreme, dezinformuese (fake news).

“Në mes të gjithë kësaj beteje ku çdonjëri prej nesh pa përjashtim duhet të bëjë sakrificën e vet, ekziston dhe një tufë gjallesash që duke përfituar nga kjo situatë, me papërgjegjshmëri totale shpërndajnë lloj e soj hatash fake nëpër grupe whatsappi, nëpër mesazhe “ekskluzive” me thirrjen për të marrë seriozisht alarmin e ngritur! Teksa njerëz po humbasin jetën e të tjerë lëngojnë në shtratet e reanimacioneve, ajo që duhet të bëjmë është të zbatojmë rregullat e vendosura për të mirën e përgjithshme, për të shpëtuar sa më shumë nga ne, sidomos të dashurit tanë të moshuar që kanē tretur jetën e tyre për ne!”- shkruan Kuko.

Më tej shton:

“Sa i përket këtyre trakteve parazitare hedhur fshehtas nëpër llogore whatsappesh kini parasysh:

? Referohuni për informacion vetëm në kanalet zyrtare. Faqet zyrtare të institucioneve të cilat përditësohen menjëherë!

? Vendosni në pikëpyejtje burimin e informacionit kur merrni një mesazh a trakt alarmist (si ai gomarlleku i spërkatjes nga helikopteri) dhe verifikoni burimin. Nëse është anonim, mos e përcillni atë mesazh tek miqtë tuaj.

? Referohuni tek mediat serioze dhe jo zgëqet e hapësirës virtuale!”

Për ta përmbyllur me:

“Duke falenderuar së pari mjekët, policinë, Forcat e Armatosura, bashkitë, shërbimin social dhe prefektët, një falenderim me mirënjohje gazetarëve të terrenit të cilët me profesionalizëm dhe sens misioni po japin më të mirën e tyre. Lërini gjallesat e papërgjegjshme të fake news pa ushqim. Nëse i injoroni, i sfidoni përfundimisht. Forca miq! Të gjithë për një e një për të gjithë!”

Top Channel