Presidenti Ilir Meta ka folur mbrëmjen e sotme në emisionin Open në Top Channel edhe për takimin me ambasadoren e SHBA në Tiranë Yuri Kim.

Meta është shprehur se takimi ishte krejt normal, në kuadrin e zhvillimeve në të cilat ndodhet vendi. Meta theksoi se më shumë në këtë moment, Shqipëria duhet të ndihmojë vet veten edhe pse ndihma amerikane nuk ka munguar.

“Ishte takim normal në kuadër të takimeve të vazhdueshme që ne zhvillojmë. Mendoj që ndihma e tyre (Amerikanëve) nuk na ka munduar që në fillim të shfaqjes së kësaj situate. Dhe angazhimet e tyre kanë qenë të qarta dhe publike. Tani është momenti që ne duhet të ndihmojmë më shumë veten. Shqipëria, për shkak të lajmeve dhe presionit të madh që vijnë nga Italia, që ne jemi shumë të lidhur, përsëri unë mendoj që jemi në një situatë më të favorshme për të përballuar me kosto sa më minimale këtë situatë”, u shpreh Kreu i shtetit, Ilir Meta.

Më tej, i pyetur nga Eni Vasili për manifestimin e dy marsit, nëse ai mund të anulohej për shkak të koronavirusit, Presidenti Meta u shpreh:

“Isha i gatshëm ta anuloja nëse mazhoranca do garantonte se ligji nuk do të kalonte në kuvend. Ka dhe një dokument për këtë por s’është e rëndësishme. Ka qenë një manifestim i detyruar. Ilir Meta edhe kur ka pasur këtë shqetësim ka qenë i gatshëm të anulojë këtë nëse mazhoranca nuk do të kalonte ligjin. Ilir Meta edhe kur ndodhi tërmeti u anulua mitingu për shkak se jeta e njerëzve është më e rëndësishme.” tha Meta.

Top Channel