Një mesazh vjen nga kretarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, rreth situatës aktuale në vend, të cilën e cilëson të rëndë dhe tepër serioze duke shtuar se mosrespektimi i masave parandaluese do të jetë një rrezik për të ardhmen tonë dhe të familjarëve tanë.

”Situata është mjaft e rëndë për mijëra familje, të cilat për shkak të epidemisë, po rrezikojnë të mbeten edhe pa bukën e përditshme”, shton ajo më tej, duke shtuar se bashkia e Shkodrës do të ndihmojë në nevojat bazë për të gjithë qytetarët.

Mesazhi i plotë:

”Të dashur bashkëqytetarë,
Situata që po kalojmë prej më shumë se dhjetë ditësh, është serioze, e rëndë deri në kufijtë e alarmit. Jemi në rrezik shumë të lartë për jetën tonë, është në rrezik e ardhmja jonë shendetësore dhe e fëmijëve tanë.
Ajo që kërkohet sot nga të gjithë ne, është respektimi i masave parandaluese, mbrojtëse përballë një të keqeje që po kërcënon ekzistencën tonë, ashtu edhe të shumë popujve të tjerë në Europë e më gjërë.
Kemi nisur dhe po vazhdojmë pa ndërprerje dezinfektimin e rrugëve, trotuareve, shesheve, institucioneve publike, si një masë e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së epidemisë.
Situata është mjaft e rëndë për mijëra familje, të cilat për shkak të epidemisë, po rrezikojnë të mbeten edhe pa bukën e përditshme.
Me mundësitë tona, po punojmë ditë për ditë në terren për të evidentuar familjet në nevojë, pensionistët pa mbështetje, duke i asistuar dhe mbështetur me pako ushqimore.
Bashkia e Shkodrës do të përdorë të gjitha mundësitë e saj për të qenë në mbështetje për nevojat bazë të jetës, të të gjitha familjeve dhe individëve në nevojë.
Të dashur bashkëqytetarë,
Nuk e kam të lehtë të flas kështu, por kjo është e vërteta që duhet thonë për të parandaluar sa më shumë të keqen.
Po ju drejtohem si motra juaj, si nënë, si grua dhe si njëra prej jush. Ju lutem, ju lutem, ju lutem, respektoni të gjitha udhëzimet e mjekëve, mbroni veten, mbroni familjen, mbroni komunitetin, mbroni të sotmen e të ardhmen e Shkodrës.
Ndihmoni me sa keni mundësi njerëzit në nevojë, por pa rrezikuar për vete e familjen.
Qëndroni në shtëpitë tuaja sa më gjatë të jetë e mundur, distancimi social sot është e vetmja armë për të luftuar këtë të keqe të përbotshme.
Jemi përballë një sfide të fortë për jetën! Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë, sa më shpejt, aq më pak pasoja do të kemi.
Me ndihmën e Zotit dhe duke zbatuar këshillat e mjekëve, do ta kalojmë edhe këtë sprovë të madhe!
Zoti e bekoftë Shkodrën e Shkodranët! Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët!
Me besim, me durim dhe besim, do t’ia dalim”.

Top Channel