Reagon presidenca për raportin e Venecias: Në këtë kohë të vështirë, “burime” nga mazhoranca gjejnë kohë për t’u marrë me politikë të pacipë

20/03/2020 12:31

Pas të dhënave të fundit, të publikuara nga mediat, ku thuhej se Komisoni i Venecias shtyu shqyrtimin e draft-opinionit final për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar Presidenca.

Përmes një postimi në Facebook, zëdhënësi Tedi Blushi shkruan:

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është i fokusuar në masat e marra për përballimin e COVID 19 dhe tejkalimin e kësaj situate kritike, duke patur prioritet kryesor vetëm mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari.

Por fatkeqësisht konstatojmë se dhe në këtë situatë të vështirë “burime” nga mazhoranca gjejnë kohë për t’u marrë me politikë të papërgjegjshme dhe të pacipë duke serivur në media lajme të pavërteta nga Venecia. Me përgjegjësi të plotë sqarojmë se “burimi i Strasburgut” është Taulant Balla, i cili edhe pse është kryetar i vetëm një grupi parlamentar politik në Kuvend është personi i kontaktit në emër të Kuvendit edhe me Komisionin e Venecias, tamam për të provuar se Kuvendi aktual është njëpartiak.

Burimet e vërteta nga Strasburgu konfirmojnë se raporterët nuk kanë pranuar ndryshimin e opinionit të 6 marsit. Ndërkohë në Parlamentin holandez është kërkuar të përfshihet si kusht i qartë për Qeverinë shqiptare: zbatimi i rekomandimeve të opinionit të datës 6 mars, dhe opinionit për ligjin e ashtuquajtur “anti-shpifje”, përveç 9 kushteve të Bundestagut. Në këto rrethana është shtyrë edhe publikimi i raportit përfundimtar nga Komisioni i Venecias. Presidenti Meta uron që situata me pandeminë COVID 19 të kalojë sa më shpejt, dhe se vëmendja dhe angazhimi i Tij do të vazhdojë të jetë 100% në kapërcimin e saj të menjëhershëm dhe me pasoja sa më të lehta për qytetarët.”

Teksa sot dhe nesër pritej që Komisioni i Venecias të miratonte Opinionin final lidhur me “Emërimin e Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese” në Shqipëri, 62 anëtarët e këtij Komisioni janë njoftuar dje se draft-opinioni nuk do të shqyrtohet dhe as miratohet në këtë fundjavë.

U raportua se në Strasburg, Komisioni i Venecias ka patur një sërë komunikimesh qoftë me Zyrën e Presidentit të Republikës, qoftë edhe me Kuvendin e Shqipërisë, prej të cilëve ka marrë dokumentacion shtesë, të shoqëruar me komente për opinionin paraprak të nisur në Tiranë më 6 Mars 2020.

Një burim në Strasburg tha se shtyrja e shqyrtimit dhe e miratimit në këtë fundjavë nuk lidhet me situatën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga Covid-19. I njëjti burimdeklaroi se 62 anëtarët e Komisionit janë informuar dje nga Sekretariati se “projekt-Opinioni në të vërtetë përmban shumë çështje të diskutueshme dhe të vështira. Do të ishte problematik të adoptohet një tekst i tillë tani në një procedurë të shkruar.

Top Channel