Shërohet në Itali pacienti i parë i trajtuar më ilaçin eksperimental!

19/03/2020 11:45

Nga Italia nuk mbërrijnë vetëm lajme të këqija.

Në vendin fqinj, është shëruar pacienti i parë që u trajtua me ilaçin eksperimental kundër koronavirusit, “Remdesivir”. Lajmin e përcolli Matteo Basetti, zëdhënës i klinikës infektive në spitalin San Martino në Gjenovë. Kurimi i 79-vjeçarit kishte filluar në 7 mars, e gjatë dy testeve të bëra së fundmi për koronavirus ai ka rezultuar negativ.

Pacienti së shpejti do të rikthehet në Lombardi ka njoftuar Basetti, duke shtuar se të gjithë mjekët janë të kënaqur pasi ky ilaç ka rezultuar të jetë efektiv.Ai gjithashtu pranoi se ka pacientë tjerë që janë duke u trajtuar me këtë lloj ilaçi, në anën tjetër ministria italiane e Shëndetësisë ka miratuar testimin në kafshë me vaksinën e parë kundër coronavirusit. Vaksina testuese është zhvilluar në laboratorin e kompanisë “Takis”, fjala është për vaksinën e parë testuese në Europë.

Top Channel