Rëniet e vazhdueshme të regjistruara prej katër javësh në bursën amerikane vijuan edhe të mërkurën, duke eliminuar të gjitha fitimet e investitorëve të regjistruara gjatë administratës së Presidentit Trump, ndërkohë që epidemia e koronavirusit kërcënon të paralizojë aktivitetin ekonomik.
Indeksi S&P 500 që ndjek mbarëvajtjen e 500 kompanive të fuqishme, pësoi një humbje prej 7% të vlerës në një moment, duke aktivizuar pezullimin automatik të shkëmbimeve, gjë që ka ndodhur disa herë gjatë dy javëve të fundit në luhatjet e mëdha të çmimit të aksioneve.
Aeroportet dhe hotelet janë boshatisur. Linjat e fluturimit u kanë kërkuar punonjësve të rrinë në shtëpi pa të drejtë rroge. Aksionet e firmave hoteliere Hilton, Marriott dhe Hyatt pësuan rënie nga 20-30%.
Presidenti Trump i ka kërkuar Kongresit të miratojë një paketë prej 500 miliardë dollarësh për t’u ofruar kesh amerikanëve, si dhe 50 miliardë dollarë kredi për linjat e fluturimeve për t’i ndihmuar gjatë kësaj periudhe, por këto masa nuk duket se e kanë qetësuar panikun në treg.
Aksionet e kompanisë Boeing, që ka simbolizuar prej vitesh fuqinë e industrisë dhe teknologjisë amerikane ranë 24.4% në ditët e fundit, duke shënuar një rënie totale prej 60% që nga fillimi i vitit.
Analistët thonë se tregu pret të shohë një paketë stimulimi më të madhe se 1 trilion dollarë për të ndihmuar punonjësit dhe bizneset që nuk do të arrijnë të kryejnë aktivitet për disa javë, si dhe lajme pozitive për ndonjë ilaç të ri që ofron shpresa për kurim të COVID-19.
Top Channel