Pas ironisë në Twitter të kryeministrit Edi Rama ndaj kryeopozitarit Lulzim Basha lidhur me masat e propozuara nga ky i fundit, ka ardhur një kundërpërgjigje nga ana e PD-së, përmes sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
Në një postim në Facebook, Bardhi shkruan:
“Edhe na kopjon, edhe na sulmon! Nga vila e tij 2 milionë euro në Surrel, Edi Rama, i papërgatitur dhe pa ide, hedh ndonjë batutë të lodhur në twitter para se të adoptojë masat e propozuara nga PD.
Të kemi thënë që ditën e parë: ne nuk e kemi problem që ti merr dhe zbaton masat e propozuara nga Lulzim Basha, përkundrazi. Në këto kohë të vështira ne po të kërkojmë publikisht të zbatosh të gjitha propozimet tona dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme. Sot betejën nuk e ke me opozitën, por me koronavirusin.
Prandaj pa humbur më kohë nga komplekset, fillo zbatimin e tyre një orë e më parë. Sa më shpejt t’i zbatosh të gjitha, aq më mirë do të jetë për çdo shqiptar.”
Ky reagim vjen pas këtij postimi të Ramës, fill pasi Basha publikoi 8 masat e ofruara nga PD, për menaxhimin e situatës së shkaktuar prej Covid-19.
“MIRË VIRUSI E MIRË GJITHË KY MAL ME HALLE MBI KOKËN E POPULLIT, PO S’TË LE AS 7X7=42-shi ME MASAT FANTASTIKE QË I PËRSËRIT DUKE FOLUR NË GJUMË! FLI O XHAN FLI SE TË ERDHI DITA PO PAS DUARVE LAJ EDHE SYTË QË TA KUPTOSH SE JE ZGJUAR E MOS I TREGOSH MILETIT SI DUKET VIRUSI NGA HËNA!“
Top Channel