Shfaqja e koronavirusit në vendin tonë bëri që qeveria të marri disa masa për frenimin e pandemisë, ndër to ishte edhe kufizimi i lëvizjes së automjeteve dhe njerëzve.
Por këto masa për disa individë, që kanë probleme shëndetësore apo të afërm shtruar në spitale kanë sjellë vështirësi. Megjithëse policia e shtetit në njoftimet e saj ka vënë në dispozicion adresa ku mund të aplikohet për autorizime po ashtu numra telefoni, sërish ka qytetar që nuk po marrin zgjidhje. I tillë është rasti i publikuar në emisionin Fiks Fare.
Salushe Hunçi u ankua se djali i saj prej ditësh priste të merrte një autorizim nga policia për të ardhur nga Kavaja në Tiranë, pasi bashkëshorti i saj qëndron i shtruar prej më shumë e 1 muaji në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ai vuan mga mëlçia. Ajo tregon se duhet patjetër që një familjar t’i qëndrojë pranë, dhe këtë ja kanë kërkuar vetë mjekët.
“Duhet patjetër dikush t’i qëndrojë pranë pasi duhet ta lëvizim qoftë për nevojat personale, plus që ne i sjellim çdo ditë ushqimin nga shtëpia, sepse mjekët na kanë përcaktuar çfarë ushqimi duhet për të sëmurin që është ndryshe nga ai që ofron spitali” tregon e shqetësuar znj.Hunçi.
Sipas saj djali ka kërkuar me të gjitha format autorizimin në polici, por nuk e ka marrë ndaj kërkon ndihmën e Fiksit për zgjidhjen e problemit.
Gazetarët e Fiksit komunikuan me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, sipas të cilës fluksi i aplikimeve është shumë i madh ndaj zotëria nuk ka marrë zgjidhje, por sipas tyre rasti do shihet me përparësi dhe t’i jepet një zgjidhje e shpejtë.
Top Channel