Një mësues në një shkollë private në Korçë ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Shkolla greke jopublike “Omiros” së fundmi ka bërë një reagim publik ku sqaron situatën. Mësuesi i infektuar është grek dhe punon me kohë të pjesshëm në këtë shkollë.

Më datë 9 mars ka qenë kontakti i fundit i tij me shkollën. Prindërit dhe mësuesit e kësaj shkolle janë në alarm për shkak të konfirmimit të rastit. Top Channel mëson se rreth 430 nxënës marrin mësim në shkollën në fjalë.

Në lidhje me rastin e arsimtarit të shkollës “Omiros” thuhet se Drejtoria e shkollës ka vepruar që në çastin e parë me përgjegjësi të plotë.

Sipas tyre Arsimtari ka shumë mundësi që të jetë infektuar pas mbylljes së shkollave në vend, por meqenëse nuk ka siguri të plotë për këtë Drejtoria e Shkollës informoi menjëherë të gjithë prindërit e nxënësit dhe institucionet përkatëse.

Më tej në deklaratë thuhet se “Mësuesi që është vendosu në karantinë është duke marrë kurën e përshtatshme ndërsa anëtarët e familjes së tij të cilët po ashtu kanë kryer analizat e nevojshme, u gjenden negativë ndaj koronavirusit. Në çdo rast shkolla do të kryej dhe dezinfektimin të detajuar para se të funksionojë sërish.”

Më herët kjo shkollë bëri një tjetër reagim ku njoftonte për situatën me mësuesin e infektuar.

“Të dashur prindër, ju informojmë se një person prej stafit edukativ të Shkollës “Omiros” u gjend pozitiv ndaj koronavirusit ditën e Premte dt 13/03/2020. Shkolla jonë u mbyll ditën e hënë, 4 ditë para se të shfaqej rasti, dhe ishte e vetmja ditë që dikush prej stafit dhe fëmijëve mund të ketë ardhur në kontakt me personin e infektuar i cili nuk ishte në dijeni për problemin deri ditën që iu shfaqën shenjat e para dhe shkoi në spital, ku pas analizave rezultoi pozitiv. Duke pasur parasysh dhe probabilitetin më minimal të një infeksioni të mundshëm, jemi të detyruar t’iu vëmë në dijeni që të jeni më vigjilentë në lidhje me shëndetin tuaj dhe të ndiqni udhëzimet e mëposhtme në rast se keni një prej shenjave të bëra publike e që lidhen me infektimin nga ky virus.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA