Sot është një ditë vendimtare për futbollin evropian. UEFA do të zhvillojë një videokonferencë me 55 Federatat që aderojnë në të, drejtues të Ligave të ndryshme dhe ata të klubeve si dhe përfaqësuesit e futbollistëve për riorganizimin e futbollit kontinental që është pezulluar për shkak të emergjencës coronavirus.
Në këtë pikë ajo që është e sigurt është shtyrja e Euro 2020, probabiliteti më i madh është që kjo të ndodhë për në qershor të vitit të ardhshëm pasi prioritet është mbyllja e sezonit në kampionatet e çdo vendi si dhe ajo e Ligës së Kampioneve dhe Europa League dhe ideja është që ato të mbyllen në periudhën maj-qershor, gjithnjë nëse situata në Kontinentin Evropian do t’i kthehet normalitetit në harkun e 2 muajve të ardhshëm.
Pas videokonferencës me drejtues të Shoqatës së Klubeve, Ligat dhe sindikatën e futbollistëve, do të zhvillohet ajo me 55 Federatat që do të shoqërohet me mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit Ekzekutiv të UEFA. Synimi është që të përcaktohet një rrugë e qartë për kompeticionet evropiane duke përcaktuar se kur do të zhvillohet Evropiani, datat e mundshme për zhvillimin e tureve të mbetur në Champions dhe Europa League dhe ato për përfundimin e kampionateve në vendet evropiane.
Por në këtë mbledhje të jashtëzakonshme do të diskutohen edhe çështjet ekonomike. Shtyrja e Euro 2020 do të sjellë humbje financiare dhe sipas përllogaritjeve ajo pritet të jetë 300 milionë Euro. Po kështu do të diskutohet edhe çështja e futbollistëve kontratat e të cilëve me klubet respektive skadojnë në 30 qershor.
Top Channel