Për mjekët e Shqipërisë/ Kryemadhi: S’mjaftojnë vetëm duartrokitjet, të lutemi për shëndetin e tyre

15/03/2020 14:25

Përmes një postimi në Facebook, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shprehet se për mjekët e Shqipërisë s’mjaftojnë vetëm duartrokitjet, por duhet të lutemi për shëndetin e tyre.

“Kjo është doktoresha Silva Ruli Shameti, mjeke dhe mike e mirë që unë e dua shumë, e cila prej 3 javësh po shërben pa pushim në repartin e karantinës të spitalit të San Marino-s.

Mendimet tona shkojnë jo vetëm për të, por për të gjithë mjekët shqiptarë që punojnë jashtë. Ata sot i ofrojnë siguri qytetarëve evropianë, por edhe pse në karantinë duke luftuar vetë me virusin, mendjen dhe shpirtin e kanë të lidhur me situatën në Shqipëri, për familjarët, miqtë e kolegët e tyre këtu.

Falenderimet dhe lutjet tona shkojnë edhe për të gjithe mjekët tanë që punojnë këtu në kushte shumë më të pafavorshme se kolegët e tyre në Evropë. Për mjekët e Shqipërisë nuk mjaftojnë vetëm duartroktijet e orës 17:30, por të lutemi për shëndetin e tyre mëngjes, drekë, darkë, e në çdo kohë të shpresojme që ata e familjarët e tyre të gjejnë forcën, për të përballuar ditët e vështira që kemi përpara.

Zoti i bekoftë sakrificat tuaja!”- shkruan Kryemadhi.

Top Channel