E gjithë Italia tani është zonë e kuqe dhe vendi ka hyrë në ditën e parë me dyqane të mbyllura.
Rregullat e reja u njoftuan mbrëmjen e të mërkurës nga kryeministri Giussepe Conte. Roma është zgjuar një qytet i shkretuar, me monumente pa turistë dhe rrugë të zbrazura. Shumë pak makina qarkullonin dhe mjetet e transportit publik, praktikisht bosh. Qepenat janë ulur kudo, edhe në lokalet historike të hapura më parë 24 orë në qytet.
Të vetmet dyqane të hapura janë ato të duhanit dhe gazetave. Deri më 25 mars do të qëndrojnë të mbyllur baret, pabet, restorantet. Ndërkohë që mbeten aktivë hidraulikët, mekanikët, pikat e karburantit. Hapur janë vetëm dyqanet e ushqimeve dhe farmacitë ndërsa është garantuar edhe funksioni i shërbimeve thelbësore, banka, posta dhe transporte. Pas dy javësh, tha Conte, do të shohim rezultatet.
“Nëse do t’i respektojmë të gjithë rregullat, do të dalim më shpejt nga emergjenca. Vendi ka nevojë për përgjegjshmërinë e 60 milionë italianëve që cdo ditë kryejnë sakrifica. Të gjithë duhet të bëjnë detyrën e tyre. Të qëndrojmë larg sot për tu përqafuar me më shumë dashuri dhe për të vrapuar më shpejt, nesër”, u shpreh Conte.
Numri i të infektuarve ka shkuar në më shumë se 12 mijë në Itali, 1045 janë të shëruarit dhe 827 viktimat. Të mërkurën, OBSh e shpalli koronavirusin pandemi. E tillë konsiderohet një sëmundje që përhapet në shumë vende të botës në të njëjtën kohë. Numri i rasteve në shkallë globale ka shkuar në mbi 126 mijë dhe ai i viktimave në më shumë se 4600. Pjesa më e madhe e viktimave kanë qenë në kinë, por vendi tha se të enjten kishte vetëm 15 raste të reja.
Hubei, epiqendra e epidemisë, shënoi vetëm tetë raste të reja, hera e parë kjo e një bilanci me një shifër të vetme. Në gjermani, kancelarja Merkel paralajmëroi se rreth 70 për qind e vendit apo 58 milionë njerëz, do të prekeshin nga koronavirusi. Deri më tani atje janë regjistruar 1300 raste. Danimarka, që ka konfirmuar 514 raste, ka vendosur mbylljen e shkollave dhe universiteteve. India ka pezulluar vizat për të huajt deri më 15 prill dhe Guatemala ka ndaluar hyrjen e shtetasve evropianë. Ndërkohë, Britania e Madhe po mendon të ndryshojë taktikë dhe të vonojë përhapjen e virusit, në vend që të përpiqet ta vendosë atë nën kontroll.
Top Channel