Kosova mbyll shkollat/ Masat për koronavirusin, edhe pse nuk ka asnjë rast deri tani

12/03/2020 12:56

Pavarësisht se nuk ka ende asnjë rast të regjistruar të koronavirusit, Kosova ka përveshur mëngët për të parandaluar hyrjen e virusit në vend.

Qeveria e Kosovës, në një mbledhje urgjente të mbajtur mbrëmjen e të mërkurës, mori një seri masash me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit ndër të cila, ndërprerjen e procesit edukativo arsimor në institucionet publike dhe private deri më 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë). Po ashtu, qeveria vendosi pezullimin e përkohshëm të linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me rrezik të lartë dhe të mesëm.

Po ashtu, ekipet mjekësore të ushtrisë do të jenë në të gjitha hyrje daljet e Kosovës, me mbështetjen e policisë, për të kontrolluar qytetarët që vijnë nga zonat e prekura. Qeveria ka urdhëruar vetëkarantinim të detyrueshëm të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm në përputhje me udhëzimet e OBSH. Nëse personat e caktuar që nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohet të vendosen në karantinat e përbashkëta të përcaktuara nga qeveria. Aktivitetet publike dhe jo publike mund të zhvillohen të mbyllura, pa publik.

Ndërsa pas orës 23, është urdhëruar mbyllja e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave etj. Qeveria ka ndaluar edhe eksportin e pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga operatorët ekonomikë dhe prodhuesit. Ata që nuk do të respektojnë rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ndonëse shumë qytetarë janë testuar deri më tani në Kosovë, nën dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjë prej tyre nuk ka qenë pozitiv. Më herët, qeveria e Kosovës kishte miratuar edhe planin e veprimit për gatishmëri dhe reagim për koronavirusin, dhe kishte ndarë 10 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA