Vdekja e parë nga koronavirusi/ Basha: Ngushëllime familjes, vetizolimin për 14 ditë për ata që vijnë nga zona të prekura

11/03/2020 14:09

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me viktimën e parë të shkaktuar nga koronavirusi në vendin tonë, duke i shprehur ngushëllime familjarëve.

Basha ka në reagimin e tij ka thënë se ky duhet të jetë një moment reflektimi ndërsa thotë se duhet bashkëpunim me mjekët.

“E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët.  Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet t’i ndihmojmë me bashkëpunimin tonë. “ shkruan kreu i PD.

Postimi i plotë i Bashës:

Të dashur bashkëqytetarë, Fatkeqësisht një zonjë humbi sot jetën nga virusi Covid 19. Ngushëllimet e mia për familjarët dhe të afërmit e saj, dhe uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë.

Ky moment duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Rastet e qytetarëve të ardhur nga Italia dhe që janë mbartës te koronavirusit po shtohen. Kjo e bën shumë më të rëndësishëm rritjen e kujdesit, e, në veçanti, bashkëpunimin e gjithsecilit prej nesh me mjekët dhe stafin shëndetësor. Në të kundërt rrezikojmë veten, familjen, të afërmit dhe miqtë.

Bashkëpunoni me mjekët dhe jini transparentë, tregoni menjëhere nëse keni ardhur nga Italia, nese keni patur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi. Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi, e rrezikshme për veten dhe të tjerët është ta mbash të fshehtë mundësinë e infektimit. Një pakujdesi e tillë rrezikon edhe infektimin e mjekëve e stafeve mjekësore.

E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetëizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët.  Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet t’i ndihmojmë me bashkëpunimin tonë.

Mos ngurroni të zbatoni këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sa më të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të jemi, aq me më pak pasoja do ta kalojmë këtë situatë.

Top Channel