Senatori amerikan, Rand Paul, mbështet tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. “Unë mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë.
Unë e inkurajoj Kosovën që të kthejë kursin dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Koha për t’i sjellë trupat tona në shtëpi pas kaq vitesh atje..”, ka shkruar Paul në rrjetin social Twitter.
Ky është senatori amerikan i dytë me radhë që kërkon përfundimin e misionit ushtarak të SHBA-së në Kosovë. Të martën, senatori amerikan David Perdue, përmes një shkrimi në Twitter ka shkruar se në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
Deklaratës së tij, të martën, i bënë jehonë, Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe i dërguari presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell. Por, ish-komandanti i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges, e ka kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova duke thënë se “ky do të ishte një gabim, pasi KFOR-i është spiranca e vetme e stabilitetit në rajon”.
Deklarata e senatorit amerikan për tërheqjen e trupave amerikane ka ngjallur reagime edhe në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se qeveria urgjentisht duhet të plotësojë kërkesat amerikane për tërheqjen e tarifës ndaj mallrave serbe. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova.
Top Channel