Basha i kundërpërgjigjet Ramës: Maskat e skaduara nuk i mbrojnë mjekët, nuk jemi në luftë

10/03/2020 18:10

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama për sa u përket maskave të shpërndara për gjithë personelin shëndetësor në mbarë vendin, ka ardhur edhe një përgjigje nga kreu i opozitës, Lulzim Basha i cili më parë tha se janë të skaduara.

Basha është shprehur se më në fund kryeminsitri Rama e ka pranuar se maskat janë të skaduara. Sipas kreut të PD, maskat e skaduar nuk mund të jenë masë mbrojtëse për personelin mjekësor.

“Më në fund e pranoi të vërtetën. Maskat janë të skaduara. Si të tilla ato nuk mund të jenë masë mbrojtëse për personelin mjekësor. Edi Rama mblidh mendjen dhe siguro jetën e qytetarëve! Lëri lojrat e fjalëve dhe fokusohu tek problemi kryesor që kanë sot shqiptarët. Nuk jemi në luftë, jemi në situatë emergjence që kërkon seriozitet dhe përgjegjshmëri. Dhe jo shfaqje me maska të skaduara mbi fytyra të skaduara.” shkruan Basha.

Nga ana tjetër në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar pasdite për situatën me koronavirusin, Rama ka nxjerrë certifikatën e sigurisë duke theksuar se data e skandencës nuk ka lidhje me përdorimin.

“Megjithëse unë e përçova drejtpërdrejt mesazhin lidhur me sulmin krejt të pavend për të thënë më të paktën që u bë sot mbi autoritetet shëndetësore duke thyer çdo normë etike të një situate të tillë por duke thyer dhe rregullat për të përdorur Qendrën Shëndetësore për sfond të një shfaqjeje tjetër të virusit të Babales, sapo përfunduam pjesën e parë dhe po kalonim tek e dyta morëm informacionin që për fat të keq përsëri Lulzim Basha ridel dhe bën thirrje për nuk e di se çfarë tjetër përveç atyre të zakonshmeve, por përsëri këmbëngul se janë shpërndarë maska mbrojtëse të rrezikshme, madje paska kërkuar dhe prokurorinë. Kjo është certifikata o të nderuar kolegë, konkurrentë apo kundërshtarë që akoma dhe sot dhe mbasi ju thuhet drejtpërdrejt në sy të të gjithë popullit jeni gabim, jeni gabim sepse edhe sikur ju të kishit konstatuar vërtetë një problem që nuk është fare problem siç tregon certifikata, e autoriteteve kompetente në Kanada, sepse e thashë nuk munden dot të vijnë me trajlera nga Kanadaja, të dalin nga Kanadaja, pajisje mjekësore që nuk mund të përdoren apo më keq akoma që janë të rrezikshme. Thotë një fjalë të gabosh është njerëzore dhe të këmbëngulësh është djallëzore. Është djallëzore tani kur të gjithë duhet të jemi bashkë, jo vetëm që nuk keni përgjegjësinë më minimale ndaj atyre që përfaqësoni dhe ndaj këtyre njerëzve, rrëmoni si minj për të nxjerrë të paqenat edhe i hidhni njerëzve tamam në këto momente helm në gjakun e tyre të trazuar, i turbulloni shikimin me shpifje. Certifikata, përshkrimi antimikrobial për maskat e fytyrës dhe e bën shumë të qartë që ajo data e skadencës që rrëmoni ju nuk ka lidhje fare me përdorimin e tyre dhe jep të dhëna shumë specifike mbi mbishkrimin dhe efikasitetin e tyre”, deklaroi kryeministri.

Ai tha se “ne këto nuk i çuam në sallat e kirurgjisë për të cilat janë të destinuara dhe kur këto përdoren kur janë në efikasitet të plotë dhe megjithëse parametrat i kanë si përqindje reduktimi të efektit 99%, përsëri nuk i kemi çuar atje, por përdorim të përgjithshëm të gjithë sistemit”. tha Rama.

Top Channel