Sfida mes Barcelonës dhe Napolit e parashikuar të zhvillohet në 18 mars do të luhet pa praninë e tifozëve në Camp Nou per shkak te coronavirusit.
Ky është vendimi i marrë nga klubi dhe autoritetet e Katalonjës pas një takimi të zhvilluar paraditen e kësaj të marte në Departamentin e Shëndetësisë së këtij rajoni. më pas klubi katalanas doli në një komunikatë për shtyp për të bërë të ditur këtë lajm për mbajtjen e kësaj sfide me dyer të mbyllura.
Kjo do të jetë hera e dytë në historinë e Barcelonës që zhvillon ndeshje në kushte të tilla të çuditshme pas asaj të tetorit të vitit 2017 në kampionatin spanjoll kur sfida e Camp Nout mes Barcelonës dhe Las Palmas u zhvillua pa tifozë për shkak të incidenteve të ndodhura për shkak të referendumit për pavarësinë e Katalonjës.
Barcelona u përpoq deri në momentin e fundit për të zhvilluar këtë ndeshje me dyer të hapura të paktën për tifozët e saj duke ndaluar hyrjen në stadium të atyre italianë për të cilët ishin vënë në dispozicion 5000 bileta edhe pse jo të gjitha u shitën pasi tifozët e Napolit pritën deri në çastet e fundit vendimin nëse do të lejoheshin të dilnin nga vendi apo jo dhe në fakt ata nuk do të mund të udhëtojnë drejt Spanjës pasi tani e gjithë Italia është konsideruar një zonë e kuqe.
Top Channel