“Të shkundemi, para se të na shkundë”/ Ambasadori ynë në Kinë me tone kritike: Stop qyfyreve se “jemi racë e fortë”

09/03/2020 11:51

Konfirmimi i dy rasteve të para me koronavirus në vendin tonë, ka sjellë reagimin e ambasadorit të Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, përmes një postimi në Facebook.

Ndër të tjera, Belortaja shprehet se bashkimi i Shqipërisë me “hartën e kuqe” ka qenë prezente, sot vetëm sa u zyrtarizua, me argumentin se Shqipëria me Italinë janë thuajse “njësh” me avionët dhe tragetet e përditshme.

Më tej ai kritikon batutat bajate të tipit “jemi racë e fortë”, apo këshillat “hani limona e pini raki”, duke thënë se duhet të shkundemi e të veprojmë përpara se koronavirusi të na shkundë.

“Asgjë e re s’ka ndodhur. Ato 2-3 ishujt e vegjël s’mund të qëndronin për shumë kohë gri. Me Italinë ne ishim thuajse “njësh” me avionat dhe tragetet e përditshme. Bashkimi me “hartën e kuqe” aty ishte, sot vetëm sa u zyrtarizua. Kjo është keq sigurisht, por ka dhe një të mirë: uljen tonë me këmbë në tokë! Mbylljen e stacionit të ..Gallatës!  Stopin e ..qyfyreve, kunjave e shakave tona bajate, të folklorizmave si ..“është si punë gripi, po ..një çikë me i fortë se gripi”! apo “jemi rracë e fortë”; te këshillave qesharake si ….”hani limona e pini raki”! “është kot kjo e kot ajo…”, etj.
Ngjeshjes e gajasjes sonë të papërgjegjëshme nëpër kafe, restorante, salla, stadiume dhe autobuza edhe ..për 1 stacion!
Të gjithë duhet të shkundemi. Ndryshe doemos ..do të na shkundë!”, shkuan ambasadori i Shqipërisë në Kinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA