Është shtuar numri i të infektuarve me koronavirus. Janë rregjistruar edhe 4 raste të reja me Covid-19. Tani numri në total është 6 persona të infektuar.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ministria e Shëndetësisë. Sipas njoftimit 3 prej 4 rasteve të reja janë prej familjes së djeshme. Rasti tjetër është një 31 vjeçar me banim në Tiranë që para 6 ditësh është kthyer nga Milano. Bëhet me dije se ata nuk shfaqin probleme serioze shëndetësore.
Ja njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Informacion i përditësuar
Sot 4 raste të reja me COVID-19; 3 prej tyre në familjen e 2 rasteve të djeshme. Gjatë ditës së sotme janë testuar edhe 14 raste të dyshuara për COVID-19, tetë prej të cilëve persona të kontaktit të ngushtë me dy rastet e konfirmuara me koronavirusin e ri në vendin tonë.
Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, 3 prej të cilëve persona të familjes me 2 rastet e para që u konfirman mbrëmjen e djeshme. Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore.
Aktualisht gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta. Rasti tjetër i konfirmuar gjatë ditës së sotme, është një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka patur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj. Ai po trajtohet bashkë me 2 rastet e mbrëmshme, në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta.
Deri tani janë testuar 77 raste dhe numri i atyre që kanë rezultuar pozitiv për COVID-19 është 6. Duke vlerësuar punën e stafeve mjekësore në këto momente të vështira dhe garantuar gatishmërinë e shërbimit tonë shëndetësor sipas planit të hartuar mbi protokollin e OBSH-së, Ministria e Shëndetësisë fton qytetarët të ndjekin me kujdes rekomandimet zyrtare dhe të kujdesen posaçërisht për masat e higjienës personale.
Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social u lutet qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në nr. 127!
Top Channel