“S’është koha për panik, por për kujdes”/ Basha mjekëve: Sytë e veshët janë drejtuar te ju

09/03/2020 14:07

Në një konferencë për shtyp, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli sa i takon situatës në vend, në lidhje me koronavirusin, ku u shpreh se nuk është koha për panik, por për kujdes.

Basha iu drejtua në një mënyrë të veçantë mjekëve, si hallka kyçe në një gjendje specifike për mbarë vendin, siç është kjo e Covid-19.

“Të dashur mjek e infermierë, sytë e veshët janë drejtuar te ju. Sot jemi në mbështetjen tuaj për të zbatuar masat që sugjeroni. Mos ngurroni të kërkoni çfarë iu nevojitet për të përmbushur misionin tuaj. Qeveritë shkojnë e vijnë, ata që do të mbeten jeni ju, keni në dorë jetën e qytetarëve. Kemi një nga stafet më të mira, sot duhet t’iu japim mjetet dhe fondet e nevojshme për të përballuar këtë situatë. Sa më shumë të flisni ju sot, aq më të qetë do të jenë qytetarët”, u shpreh Basha.

Më tej iu drejtua që të gjithëve:

“Shmangni kontaktet me qytetarët dhe të afërmit për një periudhë dy javore. Kujdes të veçantë duhet të kemi me të moshuarit. Sa më të kujdesshëm të jemi sot, aq më lehtë do të kalojë kjo situatë. Ne do ndjekim hap pas hapi situatën. Ekspertët tanë do të jenë në gatishmëri. Grupi i punës i ngritur në PD do të bëjë gjithçka për të monitoruar këtë situatë.”

Fjalën pas tij e mori doktoreshë Mirela Tabaku, e cila tha:

“Është e rëndësishme që të bëhet një komunikim transparent disa herë në ditë më popullatën rreth masave të marra nga qeveria. Prioritet marrja e masave urgjente në lidhje me stafin mjekësor. Të veprohet me shpejtësi nga ana e qeverisë, me mendje të kthjellët dhe pa panik, pajisja e personelit me masa mbrojtëse. Bërja gati e çdo strukture spitalore sekondare dhe parësore.”

 

Top Channel