Autoritetet shëndetësore konfirmuan dy raste personash të prekur nga corona-virusi, baba e bir, të ardhur në Shqipëri nga Firence e Italisë.

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha se “pacienti 0 i Shqipërisë nuk ka shkaktuar transmetim në publik, po merr mjekim të rregullt, ku strukturat e shëndetësisë po ndjekin protokollet standarte epidemiologjike dhe klinike për të prekurit dhe po përpiqen të parandalojnë përhapjen e virusit”.

Spitali Infektiv në Tiranë u shpall sot zonë karantine, ndërsa një bazë për karantinën e pacientëve është e gatshme në Durrës, pohuan mjekët në një konferencë të përbashkët si task force së bashku me zyrtarë të shëndetësisë.

Nga ana tjetër, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se dy “rastet e para ishin të skeduara dhe tani po shtohen masat për parandalimin”.

Gjatë ditës së sotme janë shtuar ndjeshëm telefonat e qytetarëve për urgjenca mjekësore, por 80 për qind e rasteve janë të lehta dhe po trajtohen në shtëpi si gjithë bota.

Një nga mjekët e njohur shqiptarë të fushën e sëmundjeve infective, Tritan Kalo, kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, të kenë besim tek mjekësia, dhe të ruajnë qetësinë.

Mjekët dhe zyrtarët e shëndetësisë iu bënë thirrje udhëtarëve që vijnë nga zonat e prekura me shenja sëmundjeje që të kontaktojnë me urgjencat mjekësore për të marrë këshillat e mjekëve, si dhe t’u referohen vetëm informacioneve zyrtare.

Institucionet shëndetësore vazhdojnë të kryejnë një mori analizash virologjike për rastet që kanë udhëtuar në shtetet me shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit të ri./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA