Anulohen 6 fluturime me Italinë/ Nuk nisen avionët e kompanisë shqiptare. Alitalia ndërpret linjat nga Milano

08/03/2020 20:34

Një nga pesë kompanitë e fluturimit me Italinë, anuloi të dielën fluturimet me Romën, Milanon dhe Bolonjën, si edhe anasjelltas. Burime zyrtare nga aeroporti i Rinasit, bëjnë me dije për Top Channel, se anulimet janë bërë për arsye operacionale të kompanisë shqiptare. Megjithatë, nga kompania ende nuk ka pasur një reagim zyrtar për arsyet që e çuan drejt anulimit të gjashtë fluturimeve.

Pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit në Italinë fqinje, këto janë edhe fluturimet e para të cilat anulohen nga vendi ynë drejt Italisë apo edhe anasjelltas. Ndërkohe pasdite Alitalia njoftoi se prej së hënës do të ndalojë fluturimet nga aeroporti i Malpensës ne Milano, ndërsa nga aeroporti tjetër i Milanos fluturimet do të jenë të kufizuara. Kosova po ashtu vendosi që të pezullojë fluturimet me veriun e Italisë për shkak të situatës nga Koronavirusi.

Ndërkaq në aeroportin e Rinasit, njësia e inspektimit shëndetësor, vijon me kontrollet e pasagjerëve që vijnë nga vendet të cilat kanë qytetarë të prekur me COVID-19, siç është Italia.

Në vendin tonë ende nuk ka asnjë person të prekur me koronavirus.

Sipas njoftimit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë ketë të dielë, në 59 persona të dyshuar si mbartës të COVID-19, laboratori i Virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, nuk ka konfirmuar asnjë rast.

Të gjithë personat që i janë nënshtruar testit, kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi në vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit.

Në 24 orët e fundit, sipas Njësive Shëndetësore, në të gjitha pikat kufitare kanë hyrë në total rreth 23 mijë udhëtarë, të cilat janë monitoruar për temperaturën.

Top Channel