
Kryeministri italian Giuseppe Conte firmosi dekretin që vendos menjëherë kufizime të reja për lëvizjen e njerëzve deri në 3 prill, për shkak të emergjencës së koronavirusit në Lombardi dhe në disa krahina të Venetos, Emilia Romagna dhe Piemonte. Hyrja dhe dalja nga këto territore lejohet vetëm për arsye serioze dhe “të provuara”, për punë ose familje.
Kësisoj në karantinë ka përfunduar gati një e katërta e popullsisë së vendit; 16 milionë vetë janë bllokuar në rajonet veriore në një kohë kur 36 persona vdiqën në Itali brenda një dite të vetme, duke e çuar bilancin e jetëve të humbura në 233.
Prej virusit është prekur dhe vetë kryetari I partisë demokratike, Nicola Zingaretti. Ata që janë në karantinë nuk do të jenë në gjendje të lëvizin në asnjë mënyrë. Provincat në fjalë, përveç gjithë Lombardisë, tha kryeministri, janë: Parma, Piacenza, Rimini, Reggio-Emilia, Modena, Pesaro dhe Urbino, Venecia, Padova, Treviso, Alessandria, Verbano- Cusio-OSSOLA, Novara, Vercelli dhe Asti. Baret dhe restorantet do të jenë të hapura nga ora 6 e mëngjesit deri në 18 pasite, dhe do të duhet të ruajnë detyrimin e distancës prej një metër përndryshe aktiviteti do të pezullohet. Dekreti thotë gjithashtu se ne përgjithësi aktivitetet tregtare duhet të respektojnë distancën prej një metri për klientët përndryshe do të ketë masa, që mund të çojnë në mbyllje. Strukturat e mëdha dhe të mesme të shitjeve e po ashtu edhe dyqanet brenda qendrave tregtare dhe tregjet, do të mbyllen gjatë pushimeve dhe festave. Rekomandohet gjithashtu të kufizohen daljet në dyqane, tregje, panaire për të shmangur “grumbullimet e njerëzve”. Do të mbyllen po kështu pub-et e diskotekat, kinematë e muzetë.
Shpallja e dekretit nga ana e qeverisë së kryeministrit Conte për të vënë në kontroll koronavirusin duke vendosur në “karantinë” provincat në veri të vendit ka shkaktuar më shumë panik mes banorëve të këtyre zonave. Mijëra vetë me çanta në duar i janë drejtuar stacioneve të trenave në Milano përpara se të bllokohej totalisht dalja e tyre nga zona e caktuar në dekret. Një pjesë janë ngjitur në trena edhe pa biletë, të gatshëm të paguanin gjobën vetëm që të qëndronin në bord. Guvernatori I Puljas, Michele Emiliano firmosi një urdhër që I vendos në karantinë të detyruar të gjithë personat e mbërritur nga Lombardia dhe nga veriu I “blinduar“ I Italisë. “ Mos na sillni këtu epideminë tuaj”, shkruhej në letrën e lëshuar prej tij.
Top Channel