Vajza e Donald Trump ndan foton, ja librat që po lexon për të mësuar më shumë rreth Shqipërisë dhe Ballkanit
SHBA ka paralajmëruar mbi 59 milionë dollarë ndihmë humanitare shtesë për refugjatët Rohingya dhe komunitetet pritëse në Bangladesh. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Morgan Ortagus, në një deklaratë me shkrim tha se ndihma po ashtu do të mbulojë popullin Rohingya të zhvendosur brenda vendit dhe anëtarët e komuniteteve të tjera të prekura në Mianmar.
“Ky financim do të ndihmojë në adresimin e nevojave emergjente të mbi 900 mijë refugjatëve në Bangladesh, shumë prej të cilëve janë gra dhe fëmijë Rohingya nga shteti Rakhinë, Burma, si dhe nevojat e komuniteteve pritëse të Bangladeshit”, tha Ortagus. “Ky financim po ashtu do të sigurojë ndihmë për jetën e personave të zhvendosur brenda vendit, përfshirë Rohingya-t, si dhe anëtarët e komuniteteve të tjera të prekura në Burma, përfshirë ata që janë të prekur nga luftimet midis ushtrisë burmze dhe Ushtrisë së Arakanit”, shtoi Ortagus.
Që kur forcat e Mianmarit nisën një sulm ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, i cili detyroi qindra mijëra të ikin dhe të kalojnë në Bangladesh, SHBA ka siguruar gati 820 milionë dollarë, përfshirë financimin e ri prej mbi 59 milionë dollarëve.
– Rohingya, popull i persekutuar
Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012. Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1.2 milionë.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit. Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”. Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan./AA
Top Channel