Mbërrin draft-raporti i Venecias/ “Veprimet e presidentit në përputhje me interpretimet e Kushtetutës”

07/03/2020 15:36

Përmes postës elektronike, në kushtet e konfidencialitetit, Presidenca dhe Kuvendi, morën draft opinionin paraprak nga komisioni Venecias për zëvendësimin e gjyqtarëve kushtetues.

Një prej palëve u kujdes t’i servirte medias disa paragrafë nga draft opinioni , që paralajmëronin se veprimet e presidentit,  ishin në përputhje me interpretimin e arsyeshëm të Kushtetutës. PS tha se do të respektojë kërkesën për konfidencialitet, deri ne miratimin e një opinioni final zyrtar.

Ndërsa ambasada amerikane në Tiranë nxiti të gjitha, palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet.

Zëri Amerikës  thotë se e ka parë dokumentin konfidencial, që u është dorëzuar palëve të interesuara në Shqipëri ku thuhet se:

“Mënyra se si është vepruar, ka krijuar “një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese. Në çdo rast, kur presidenti emëroi vetëm një kandidat, zotin Muçi, dhe më pas pezulloi procedurën e emërimit të një kandidati të dytë, ai ndoqi një interpretim, i cili nuk është i paarsyeshëm. Pezullimi i emërimit të dytë ishte i vlefshëm dhe bllokoi fillimin e periudhës 30-ditore për emërimin e dytë në mënyrë që emërimi automatik të mos realizohej”.

Komisioni i Venecias, thekson se:

“Veprimet e presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Veprimet e ndërmarra nga presidenti, në përgjigje të mënyrës së veprimit të KED, janë të arsyeshme. Për këtë arësye, nuk ka bazë për shkarkimin e presidentit.

Venecia mbërrin në këtë përfundim për ligjin e miratuar ku sanksionohet se një gjyqtar kushtetues,  jo detyrimisht mund të betohet përpara presidentit.

“Dispozitat e miratuara kohët e fundit, por që ende nuk kanë hyrë në fuqi…duhet të lihen mënjanë, pasi ato duket se janë jo-kushtetuese”.

Po ashtu Komisioni Venecias jep këtë opinion për një shkarkim të mundshëm të presidentit nga parlamenti.

“Parlamenti  duhet të marrë në konsideratë, pasojat politike të një vendimi të tillë. I takon parlamentit të vendosë nëse shkarkimi do të ulte apo shtonte tensionet dhe në fund të fundit, do t’i shërbente, apo do të dëmtonte synimin e ruajtjes së balancave dhe kontrollit, në një situatë kur parlamenti dhe pushteti vendor dominohen nga e njëjta parti. Pyetja që duhet t’i bëjë vetes parlamenti është ‘a do të ndihmonte vazhdimi i procedurave të shkarkimit për unitetin e popullit?”

Komisioni i Venecias bën thirrje, siç shprehet në opinionin paraprak, që “institucionet përgjegjëse “të bëjnë një çarmatim dypalësh” për këtë çështje, për hir të demokracisë në Shqipëri.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA