Taksa 100 përqind ndaj Serbisë, ka shpërfaqur dallimet mes aleatëve ndërkombëtar të Kosovës. ShBA-të përmes përfaqësuesit të tyre, Richard Grenell po kërkojnë me këmbëngulje largim të tërësishëm të taksës. Ndërsa, disa prej vendeve të BE-së kanë përkrahur, kryeministrin Albin Kurti në planin e tij për largim të pjesshëm të taksës me kushte. Kjo ka vënë në ‘mëdyshje’, se ka të rreshtohen institucionet e Kosovë.

Në lidhje me këtë, ish deputeti Milaim Zeka thotë për KosovaPress, se Kosova të vetmen ndihmë dhe shpresë për siguri kombëtare e ka tek ShBA-të.

“Ne kemi interes ekonomik të Evropës, sepse jemi në Evropë, por interes të sigurisë kombëtare, interes të mbrojtjes së sovranitetit, integritetit territorial dhe mbrojtje të lirisë kombëtare të vetëm ndihmë dhe shpresë e kemi te ShBA-të”, thotë ai.

Se Kosova duhet të rreshtohet nga ShBA-të, e thotë edhe analisti politik, Faton Abdullahu.

“Në raport me heqjen e tarifës, e për rrjedhojë edhe për çështjen e reciprocitetit dhe dialogut ka dallime të mëdha edhe në aspektin kohor. Nga Uashingtoni kemi një trysni politike e cila kërkon që dialogu të bëhet sa më shpejt me Serbinë. Me çka ne duke qenë aktiv në këtë segment, bëhemi pjesë e agjendës gjeopolitike edhe në aspektin kohor. Pra bëhemi pjesë e kësaj gjeopolitike. Në ndërkohë nga Brukseli nuk e kemi këtë urgjencë. Prandaj Brukseli duke mos qenë unik, duke mos përkrahë ShBA-të, nuk i ngutet. Ndërkohë asaj nuk i ngutet për faktin se nuk ka politikë të qartë se si duhet t’ia bëj më tutje Kosova në raport me Serbinë…Historinë e kemi dëshmitare se involvimi i ShBA-ve është involvim i drejtpërdrejtë, i përqendruar dhe me energji politike që na jep të kuptojmë se e ka ndërmend dhe mund të zgjedh situatën”, thotë ai.

Për dallim prej këtyre, njohësi i rrethanave politike, Rasim Aliaj shpreh kundërshtimin e tij për këtë narracion, pasi sipas tij, ndarja në dy taborëve nuk duhet të tentohej asnjëherë.

“Ndarja e dy taborëve nuk do të duhej të tentohej asnjëherë rreshtimi karshi njërit bllok apo tjetër. Tek e fundit prej të dy blloqeve e kemi të nevojshëm dhe të pazëvendësueshëm. Marrëdhënia me ShBA-të i ka specifikat e veta, mirëpo edhe marrëdhënia me BE-në i ka specifikat e veta. Nuk duhet të shkohet në formën, apo kahjen e ndarjes së politikave tona mes bllokut tjetër ose tjetri. Por duhet të jetë politikë unike dhe mbi të gjitha të tregohet edhe mençuri sa i përket moskrijimit të narracionit të ndarjes së politikës kosovare në blloqe të tilla. Është gati, gati edhe qesharake dhe paradoksale që të tentohet të krijohet një narracion që ne jemi me BE-në dhe nuk jemi me BE-në. Edhe nuk qëndron si narracion, mirëpo as nuk i bën nder Kosovës”, thotë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën e kaluar ka shpalosur planin e tij për largim të pjesshëm të taksës. Këtë nuk e ka mirëpritur i deleguari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai ka kërkuar që taksa ndaj Serbisë të largohet plotësisht dhe pa kushte. Për dallim nga ai disa shtete të BE-së e kanë parë këtë si hap pozitivë të Kurtit. /E.Zeqiri/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA