Një nga futbollistët më në formë te Tirana, këtë sezon ka qenë pa dyshim argjentinasi Torassa, i cili ka ndikuar jo pak në ecurinë pozitive të bardhebluve.
Vetë 31-vjeçari pranoi se gjithçka shkon më së mirë te Tirana por kërkoi më ngulm që të gjithë të qëndrojnë më këmbë në tokë, madje nuk nguroi të citonte dhe një fjali të trajnerit të tyre Egbo.
“Mendoj se këtë lloj presioni do donin ta kishin të gjithë. Po bëjmë mirë por gjithashtu e dimë që s’kemi fituar ende asgjë.Duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë, sepse ka ende ndeshje përpara. Siç thotë trajneri ynë Egbo, nëse ne bëjmë pjesën tonë, pra maksimumin, Zoti do na e shpërblejë”, shprehet Agustin Torassa, futbollist i Tiranës.
Në vijim, argjentinasi foli dhe për derbin e fituar me Partizanin duke respektuar këta të fundit si një ish-skuadër ku ka luajtur më herët.
“Kam kaluar një kohë shumë të bukur te Partizani dhe i jam shumë falenderues, por jam profesionist dhe respektoj fanellën që mbaj veshur duke dhënë maksimumin. Sigurisht u gëzova që fituam atë derbi historik, por në fund janë vetëm 3 pikë ndaj duhet të vazhdojmë”, tha Agustin Torassa.
Në fund Torassa nuk pranoi të krijonte një çështje sa i përket kontratës që e lidh me klubin bardheblu duke u fokusuar vetëm tek Tirana pavarësisht se nuk është vendosur e ardhmja e tij.
“Kontrata ime përfundon në mbyllje të kampionatit dhe ende s’kemi biseduar për rinovimin por s’është momenti për këtë tani, duhet të fokusohemi vetëm te ndeshjet tona.”
Top Channel