Janë zbuluar dy mutacione të ndryshme të llojit të ri të koronavirusit (COVID-19), i cili u shfaq në Wuhan të Kinës dhe u përhap në të gjithë botën brenda një kohe të shkurtër. Sipas revistës “Global Times”, shkencëtarët kinezë nga Universiteti i Pekinit dhe Akademisë së Shkencave Kineze studiuan ndryshimin e përbërjes gjenetike të virusit në 103 mostra të mbledhura.
Studimi u botua në revistën “National Science Review”. Në 101 mostra, të cilat u analizuan, u zbuluan dy nënversione të ndryshme të virusit. Mutacionet e koronavirusit u identifikuan si “S-cov” dhe “L-cov”. “S-cov” thuhet se është afër llojit të koronavirusit i lidhur me lakuriqët dhe ka një shkallë infektive më të ulët ndërsa “L-cov” është më i madh dhe më i dëmshëm për traktin respirator të njeriut.
Gjithashtu thuhet se nuk duhet anashkaluar as mundësinë e një mutacioni të tretë të virusit. Yang Cangxiu nga Wuhani, një specialist në studimin shkencor të virusit, deklaroi se mutacionet e COVID-19 ka të ngjarë të vijnë për shkak të kushteve në natyrë apo mjedisore ose personave të infektuar, që do të thotë se virusi ka burime të shumta.
Ai paralajmëroi se mund të paraqiten mutacione të tjera pasi lloji i ri i koronavirusit përhapet në të gjithë botën. Cong Nanshan, një nga epidemiologët kryesorë në Kinë, tha se janë bërë hulumtime për të përcaktuar burimin e virusit. Koronavirusi i ri, i zbuluar për herë të parë në Kinë, ka infektuar më shumë se 95 mijë persona në të gjithë botën, duke shkaktuar më shumë se 3 mijë vdekje.
Koronavirusi u shfaq dhe u përhap me shpejtësi në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit të kaluar, me infeksione të konfirmuara në rreth 80 vende të botës. Numri më i madh i të vdekurve është në Kinë, ku deri më tani kanë vdekur 3.014 persona.
Top Channel