Rreth katër orë pasi policia dhe IKMT kishin nisur punën për shkatërrimin e disa ndërtimeve të Unaza e re në zonën e Astirit, ka dhënë një deklaratë ish deputeti demokrat Kleves Balliu
Deklarata e plotë:
Policia e Shtetit ka ardhur vetëm me një detyrë: të shkatërrojë provat e vjedhjes makabre në Unazën e re me projektin famëkeq që po bën gjenocid tek Unaza e re, ku 1 kilometër kushton 20 milion euro dhe 40 milion euro shkon i gjithë projekti.
20 milion euro kilometri, që nuk ekziston në asnjë vend të Europës apo të botës.
Ky projekt famëkeq dhe korruptiv, ka shkatërruar jetët e këtyre qytetarëve, zonjave dhe fëmijëve të tyre, të cilëve sot u kanë shkatërruar shtëpitë, strehën e tyre. Kjo vetëm për një arsye: ndërtimin e kullave të pushtetarëve dhe të oligarkëve.
Ju po i shikoni sot këto shtëpi, nesër do të shikoni që këtu do të jepen leje ndërtimi mbi gjakun e kurrizin e këtyre qytetarëve. Mbi djersën e këtyre qytetarëve.
Banorëve të Unazës së re, gjej rastin tu konfirmoj se asnjë germë, asnjë presje, nuk i hiqet kontratës të Partisë Demokratike me banorët e Unazës së re.
Ata do të kompensohen cent për cent me çmimin e tregut, dhe të gjithë përgjegjësit që kanë bërë këtë krim, këtë gjenocid këtyre qytetarëve, do të mbajnë përgjegjësi dhe do të përballen me drejtësinë.
Partia Demokratike nuk i fshihet sot, nuk do ti fshihet nesër në pushtet, kësaj kontrate. Do ti qëndrojmë në çdo germë të saj.
Kjo prishje sot, është bërë pa asnjë letër, pa asnjë dokument dhe as nuk e kanë paralajmëruar duke krijuar këtë kaos që është sot me trafikun.
Sepse këta punojnë si mafia. Sepse këta janë mafia.
Këta punojnë në errësirë, nuk punojnë me ligj, nuk punojnë me Kushtetutë. Këta ligjin e kanë armik, këta Kushtetutën e kanë armik dhe sot kanë armiq dhe qytetarët shqiptarë. Por të bindur të jenë qytetarët shqiptarë se këtij pushteti kriminal dhe të korruptuar, që varfëron xhepat e tyre, që po sëmur fëmijët e tyre nëpër shkolla, që po bën qytetarët të vrasin vetën nëpër burgje sepse nuk paguajnë dot dritat, që po bën që qytetarët të vdesin nëpër protesta, këtij pushteti kriminal, të droguar dhe të korruptuar, po i vjen fundi.
Të gjithë qytetarët shqiptarë që janë dhunuar, arrestuar, do të marrin atë çfarë i takon, siç do të marrin atë që i takon ata pushtetarë të korruptuar dhe të inkriminuar.
Pyetje: Pse nuk ka pasur rezistencë nga banorët?
Klevis Balliu: Banorët e Unazës së re kishin dy mundësi. Njëra ishte të bënin luftë dhe të vriteshin me këta oficerë policie apo me këdo që do të çonte Edi Rama dhe Erjon Veliaj. Por qytetarët e Unazës së re, si çdo qytetar tjetër shqiptar, nuk e ka as me policin, as me gazetarin, as me intelektualin, por armiku i tyre është pushteti kriminal i Edi Ramës dhe Erjon Veliajt. Janë këtë dy individë që po bëjnë këtë krim dhe këtë gjenocid këtu. Të përplasen qytetarë me policë, që të gjakosen qytetarë me policë, që të fusë para në xhep Edi Rama dhe të mbizotërojë pushteti i tij mbi gjakun e derdhur të qytetarëve, absolutisht kjo nuk është e pranueshme dhe unë i përshëndes për këtë akt europian. Për hir të së vërtetës këta banorë janë në të drejtën e tyre legjitime të ndërmerrnin çdo lloj mase për ditën e sotme. Sepse sot po u vidhet prona. Sot po u vidhet shtëpia. Kjo po u ndodh banorëve sot dhe ata ishin në të drejtën e tyre të merrnin çdo lloj mase. Por ata zgjodhën të dokumentojnë, dhe kjo është arsyeja se pse jam sot këtu, të dokumentojnë se si sot qeveria me dhunën policore po vjen dhe po shkatërron provat. A e dini se ky projekt është në SPAK?! A e dini ju që ky projekt është te prokuroria e Tiranës?! Si vazhdojnë punimet kur nuk janë mbyllur hetimet?! Çfarë do të hetojë prokuroria nëse shkatërrohen shtëpia dhe shkatërrohen provat?! Çfarë do të hetojë SPAK-u nëse shkatërrohen provat?! Në çdo vend të botës nëse ka hetim ndalohen punimet deri në përmbyllje të hetimeve. Mbi të gjitha nga këta qytetarë janë mbi 200 persona të arrestuar. Më thoni emër të arrestuar për aferën korruptive te Unaza e re. Më thoni një emër të arrestuar nga ata që kanë marrë pjesë tek tenderimi fiktiv, salillarëve të partisë. Më thoni një emër të arrestuar për vjedhjet në këto 7 vite në Shqipëri. Më thoni një emër të arrestuar nga ata që kanë dalë nga dosja e Dibrës 184. Kush është arrestuar? Askush! Vetëm qytetarët ende burgjeve sepse nuk paguajnë dot dritat. Burgjeve se mbrojnë shtëpitë e tyre, se mbrojnë ligjin, Kushtetutën. Sepse kjo qeveri është qeveria anti-ligj, është qeveria anti-Kushtetutë. Kjo është qeveri e bandave, qeveri e mafias, funksionon si mafia, punon si krimi i organizuar dhe është misioni i tyre të shkatërrojnë Shqipërinë, për ti hapur rrugë krimit të organizuar dhe salillarëve të partisë, që mbi gjakun e këtyre qytetarëve kërkojnë të ndërtojnë kullat.
Ju e dini fare mirë se tenderin për lotin nr.2 e ka marrë Salillari, por ky tender ishte nën hetim. Kështu e nxorën mediat, kështu e tha ministria më përpara, dhe tani del ministria dhe thotë që nuk është nën hetim. Del zonja Balluku dhe thotë se nuk është më nën hetim! Po si nuk është nën hetim një tender fiktiv si ai, ku njëri bën ofertë zero dhe tjetri ofron çfarë të dojë, që ti siguronte fitoren Salillarit?! Dhe shikoni ku jemi sot. Kush e mori lotin e parë? Përsëri Salillari.
Kjo është qeveri e Salillarëve, jo e qytetarëve, por kësaj qeverie po i vjen fundi. Banorët e unazës të ruajnë qetësinë dhe ta dinë: Partia Demokratike do ti përgjigjet cent për cent, do të marrin lekët siç u takon me ligj dhe me Kushtetutë me çmimin e tregut, sepse është e drejta e tyre. Nuk po u bëjmë as nder, asgjë, thjeshtë po respektojmë ligjin dhe Kushtetutën.
Partia Demokratike do tu përgjigjet qytetarëve të unazës dhe të gjithë qytetarëve shqiptar të cilëve iu janë bërë padrejtësi nga qeveri pushtuese siç janë këta që sot po drejtojnë vendin.
Por koha e tyre po mbaron. Është koha e qytetarëve dhe këta do të mbajnë përgjegjësi nuk do të harrohet. Asnjë arrestim i paligjshëm, asnjë lot i derdhur nga nënat e këtyre qytetarëve që janë sot këtu, asnjë fëmijë që është marrë zvarrë nga kjo polici e inkriminuar dhe e droguar që deri dje na mbillte canabis, sot vjen dhe shkatërron shtëpitë.
Prandaj unë do i bëj thirrje çdo qytetari që të bashkohen të gjithë me njëri-tjetrin, kundër këtij pushteti kriminal.
Top Channel