Një tjetër person vdiq nga koronavirusi në zonën e qytetit Seattle në shtetin Uashington, duke e çuar numrin e viktimave atje në 10, thanë zyrtarët të mërkurën. Ndërkaq, raste të reja të konfirmuara me koronavirus u raportuan rreth dy qyteteve më të populluara amerikane – katër afër Nju Jorkut dhe gjashtë në Los Angeles.

Të mërkurën u njoftua gjithashtu vdekja e parë në Kaliforni nga virusi. Personi, një i moshuar me sëmundje të tjera, ishte viktima e dytë e konfirmuar me COVID-19 në Kaliforninë Veriore, thanë zyrtarët e shëndetit. Numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në zonën rreth qytetit Seattle u rrit në 39, përfshirë 10 vdekje, nga 27 raste dhe 9 vdekje një ditë më parë, njoftoi Departamenti i Shëndetit i Shtetit në shtetin Uashington.

Seattle ka përqendrimin më të madh të rasteve të koronavirusit të zbuluara deri më sot në Shtetet e Bashkuara. Disa raste ishin të lidhura me një objekt të kujdesit afatgjatë për të moshuarit në këtë shtet veriperëndimor. Në Nju Jork, tre anëtarë të një familjeje dhe fqinji i dukujt të infektuar testuan pozitivë me virusin e ri, duke e çuar totalin në shtetin e Nju Jorkut në gjashtë, thanë zyrtarët. Rreth 1,000 njerëz në periferinë e kontesë Westchester në veri të qytetit ku jeton familja janë urdhëruar të qëndrojnë brenda për shkak të ekspozimit të mundshëm ndaj virusit, tha guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo.

“Ne jemi jemi shumë të kujdesshëm për çdo rast”, tha Cuomo. Në Bregun Perëndimor, zyrtarët e Los Anxhelosit njoftuan gjashtë raste të reja të konfirmuara, duke përfshirë tre persona që kishin qenë në veri të Italisë, një nga vendet më të prekura. Nga gjashtë të infektuar, vetëm një është shtruar në spital. Pesë të tjerët ndodhen në izolim shtëpie. Qarku i Los Anxheles shpalli një emergjencë lokale dhe një emergjencë shëndetësore publike që synon të zgjerojë dhe shpejtojë përpjekjet e gatishmërisë.

Në Uashington, ligjvënësit arritën marrëveshje dypartiake mbi një projektligj emergjence prej 8,3 miliardë dollarësh për të nxitur përpjekjet për frenimin e virusit, tha një ndihmës i kongresit. Pas miratimit nga Dhoma e Përfaqësuesve, Senati pritet të veprojë shpejt në mënyrë që Presidenti Donald Trump ta nënshkruajë menjëherë ligjin dhe fondet të mund të përdoren pa vonesë.

Më shumë se 3 miliard dollarë do t’i kushtohen hulumtimit dhe zhvillimit të vaksinave kundër koronavirusit, kompleteve të testimit dhe terapeutikës. Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina ose trajtime të miratuara për këtë sëmundje që përhapet me shpejtësi. Në përpjekje për të ndihmuar frenimin e virusit jashtë Shteteve të Bashkuara, 1,25 miliardë dollarë do të përdoren në aspektin ndërkombëtar, tha ndihmësi.

QEVERITË SHTOJNË PËRPJEKJET
Qeveritë në të gjithë botën po shtojnë përpjekjet për të luftuar virusin që deri më tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 3,100 njerëzve dhe ka infektuar mbi 90,000 të tjerë. Në Itali, qeveria vendosi të mbyllë shkollat dhe universitetet për dy javë duke filluar nga nesër në përpjekje për të ndalur përhapjen e virusit.

Edhe në Japoni, kryeministri ka urdhëruar që shkollat të mbyllen deri në pushimet e pranverës, ndërsa Koreja e Jugut, Irani dhe vende të tjera po mobilizojnë forcat dhe pajisjet për të filluar operacionet e dizinfektimit. Numri i të vdekurve në Itali u rrit në 107 të martën, nga 52 një ditë më parë. Që nga mëngjesi i së mërkurën, në Itali ka 2,502 raste të virusit.

Një spital në pjesën veriore të vendit po lëviz pacientët për t’i mbajtur ata me koranavirus të ndarë nga të tjerët. “Vendi ku ndodhemi është krijuar brenda një ish lavanterie // Spitali Civil po punon për trajtimin e këtyre zonave dhe t’i bëjë ato sa më të sigurta dhe të mbrojtura për pacientët”, thotë Fabio Arrighini, koordinator i agjencisë rajonale të emergjencave.

Të martën, ministrat e financave nga Grupi i Shtatë ekonomive kryesore thanë se do të përdorin politika për të mbështetur ekonominë globale. Por ata nuk diskutuan për masa specifike. Në një konferencë shtypi në Paris, Ministri Francez i Financave Bruno Le Maire foli për pritshmëritë e tij. “Ne presim nga të gjitha institucionet evropiane, solidaritet dhe fleksibilitet. Solidaritet, që do të thotë aftësia e secilit prej nesh për të luajtur një rol. Brenda Bankës Qendrore Evropiane, ka burime ekzistuese për të mbështetur financat e bizneseve të vogla dhe të mesme”, tha Bruno Le Maire.

Bisedimet e G-7 vijnë pasi Presidenti i Koresë së Jugut kërkoi fonde për vendin e tij për të ndihmuar furnizimet mjekësore dhe bizneset e vogla që janë goditur ndërsa njerëzit qëndrojnë në shtëpi. “I gjithë vendi ka hyrë në luftë kundër sëmundjes infektive ndërsa kriza në provincën Daegu dhe Gyeongbuk të Veriut ka arritur pikën më të lartë”, tha Moon Jae-in. Forcat e Koresë së Jugut janë dërguar në Seul për të dezinfektuar zonat dhe janë hapur qendrat e testimit të shpejtë në makinë të koronavirusit.

Në Iran, banorët janë në gatishmëri pasi autoritetet thanë se planifikojnë të mobilizojnë 300,000 ushtarë dhe vullnetarë. Ndërkohë një qendër tregtare në Teheran kontrollon klientët për koronavirusin e ri. “Në hyrje të ndërtesës kemi vendosur një pike për të kontrolluar temperaturën e trupit. Gjithashtu po dezinfektojmë dhe sterilizojmë të gjitha dyqanet ushqimore, shkallët lëvizëse dhe ashensorët”, thotë një punonjës i shëndetësisë.

Në Japoni, ndërsa shumë shkolla u mbyllën që nga e hëna në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, nënat që janë në marrëdhënie pune u lehtësuan, pasi u lejuan të sillnin fëmijët e tyre në punë. Ndërsa numri i rasteve të konfirmuara në disa vende po rritet shpejt, Kina thotë se po sheh një prirje pozitive në lidhje me kontrollin e epidemisë. “11 raste të reja të konfirmuara dhe 65 të tjera të dyshuara u njoftuan në province të tjera jashtë Hubeit. Nuk ka patur vdekje të tjera dhe pacientët në gjendje kritike janë pakësuar në 25”, Mi Feng zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetit. Ai shtoi se numri i pacientëve që kanë dale nga spitali në gjashtë ditët e fundit është gati 3,000./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA