Diskutimin në parlament për aktin normativ kundra krimit të organizuar pagëzuar si lufta ndaj KÇK kryeministri Edi Rama ia kushtoi atyre të cilëve i cilësoi si mbështetës të botës së errët të krimit.

“Si ka mundësi që pikërisht kur shfaqet më e qartë më e thellë dhe më e fortë se asnjëherë në 3 dekada vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar, ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga gjitha rrugët e jetës publike, nga mediat, tek i ashtuquajturi President i Republikës, nga opozitat këtu pak çaste para meje dhe atje në rrugë, deri te Avokati i Popullit për t’iu qarë hallin këtyre “të shkretëve” që kanë vrarë, që kanë përdhunuar, që kanë trafikuar çfarë kanë mundur, që kanë grabitur pronat sa kanë mundur, që kanë shantazhuar sa nuk merret as me mend njerëzit e zakonshëm dhe sipërmarrësit e këtij vendi dhe që me demek tani po dhunohen në të drejtat e tyre njerëzore?!
Po turp nuk ju vjen fare?”, shprehet Rama.

Pasi e quajti presidentit Ilir Meta si njeriun në majë të piramidës së shtetit që kërkon revolucion, kryeministri bëri këtë koment për të parin e vendit.

“Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë si në një moment, “o sot o kurrë”, sepse sot vija ndarëse mes të shkuarës dhe të ardhmes po bëhet gjithmonë e më pafshishme me gomën e pazareve politike kur vjen puna te drejtësia, sepse sot gjykatësit e prokurorët e korruptuar nuk janë më garanci siç kanë qenë për 30 vjet, por janë dhe do të jenë çdo ditë e më shumë në hallin e tyre, sepse sot është marrë një vendim solemn në ekstrem nga kjo qeveri dhe nga kjo shumicë për t’i dhënë një dërrmë përfundimtare krimit të organizuar”, thotë kryeministri.

Krahas marrjes së parave për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar kryeministri solli një detaj të ri.

“Çfarë ju shqetëson juve që këta njerëz të cilët duke menduar që vettingun nuk e kalojnë dot, se kuptohet që nuk e kalojnë dot, thonë kap ca të kapësh deri kur ta kesh në dorë e këta kapin jo thjesht thasët me para nga këta të tjerët që ju i quani të varfër e që kanë ndonjë karabina tek tuk apo që kanë lënë për familjen ndonjë tufë delesh por kapin çdo ditë pronat e shqiptarëve. Prona të njerëzve të cilët me sa kam dëgjuar, ju i përfaqësoni. Ju jeni ata të pronarëve, ju jeni ata që qani hallin e pronarëve të ligjshëm. Ju jeni ata që vini këtu e na merrni përpara ne komunistëve që ju shpronësuam juve. Por në fakt, ju jeni pa dashje, mbështetja më e madhe e KÇK-së dhe e grabitjes së pronave sepse e drejtoni tytën gabim. Pra uleni në vendin e gabuar dhe e rrotulloni helikën në hapësirën e gabuar dhe bëni një zhurmë që ndihmon vazhdimin e punës me qetësi dhe drejtësi të atyre që kapin çfarë të kapin çdo ditë”, ka thënë Rama.

Top Channel