Komiteti Olimpik Ndërkombëtar këmbëngul në qëndrimin e tij për zhvillimin sipas parashikimit të Lojërave Olimpike të Tokyos pavarësisht shqetësimeve të mëdha që janë shkaktuar nga coronavirus.
Presidenti i institucionit më të lartë të olimpikeve, Thomas Bach në një konferencë për shtyp, konfirmoi se Lojërat e Tokyos as do të anulohen e as do të shtyhen.
“Në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv nuk është përmendur asnjë nga fjalët anulim apo shtyrje e Lojërave Olimpike. Nuk do t’i hedh benzinë zjarreve të spekulimeve. Një ditë më parë dolëm me një komunikatë për shtyp që ishte shumë i qartë. Punojmë për Lojëra Olimpike të suksesshme”, shprehet Thomas Bach.
Lojërat Olimpike të Tokyos janë parashikuar të zhvillohen në 24 korrik deri në 9 gusht. Por anulimi apo shtyrja e shumë evenimenteve sportive për shkak të virusit COVID-19 bëri që të ngrihen dyshime të forta edhe për zhvillimin e Lojërave Olimpike, që është kompeticioni më i rëndësishëm sportiv në botë. Rreth 3200 persona kanë humbur jetën nga Coronavirusi dhe mbi 90 mijë persona janë të prekur në mbi 60 vende të botës. Në Japoni ku do të zhvillohen Olimpiket janë regjistruar 230 persona të prekur dhe 5 viktima nga ky virus.
Tomas Bach theksoi se është ngritur një grup pune e përbërë nga anëtarë të IOC, Tokyo 2020, bashkisë së Tokios, qeverisë japoneze dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që do të zhvillojë mbledhje të vazhdueshme për situatën, por pa bërë spekulime për zhvillimet e mundshme në të ardhmen.
Top Channel