Në fjalën e tij në Kuvend Kryeministri Rama foli jo vetëm për KÇK por edhe ka marrë në mbrojtje ministren Gjonaj. Rama tha se Presidenti është në momentin O Sot o Kurrë.

“Si mund të sulmohet nga maja e pirmaidës së shtetit Ministrja e Drejtësisë, e cila falë kurajës së saj ka hapur një llogari që të tjerë jo nuk guxuan, po as nuk i shkoi nëpër mend. Përkundrazi i bënin llogaritë me krimineletë. Ajo konceptoi 41 BIS, e dini ç’është? Eshtë regjimi i izolimit të kriminelëve mafiozë, që solli telashe për jo pak njerëz që e ngritën e ndërkohë mbrohen demonët, demonët. Ata që janë të dënuar nga Gjykata, jo të dyshuar nga policia, se ju nuk dini c’flisni.
Janë të dënuar, jo të dyshuar. Janë njerëz që cohen në SPAK si të dënuar që posedojnë pasuri që janë qartësisht produkt i dyshimtë. Nga vijnë këto pasuri e si mundet të arrihet në këtë absurd. Të konsiderohet kapje e shtetit fakti që akti normativ i imponon Ministrin e Brendshëm dhe institucioneve të drejtësisë, të ulen në tryezën e bashkërendimit të këtij operacioni.
Ku e keni parë në cilin vend të botës. Si mundet që atë që Italia e bëri në fund vitet ’80 e fillm vitet ’90 që përkufizoi zbythjen e mafies, ekzaktësisht me të njëjtën mënyrë. Këtu në 2020 çohen autoritete publike por edhe shtetërore, si ai që rri në majë të piramidës e kërkon revolucione dhe e konsiderojnë mëkat të qeverisë, aq të madh saqë jepet si prova kuptimplotë e përfundimtare e nevojës për ta shporrur këtë qeveri. Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë në një moment si “o sot o kurrë”. Se sot vija ndarëse mes të shkuarës e të ardhmes po bëhet gjithmonë e më e pafshishme me pazaret politike kur vjen puna te drejtësia. Se sot gjykatës e prokurorë s’janë më garancia sic kanë qenë për 30 vjet, por janë gjithmonë e më shumë në hallin e tyre, sot është marrë një vendim ekstrem për ti dhënë një dërmë përfundimtare krimit të organizuar.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

Është absolutisht e vërtetë, paketa Anti-KÇK është fytyra e qeverisë tonë, 100%.

Nga ana tjetër, ju siguroj se shqiptarët nuk pyesin për syzet e diellit pa ditë me shi të asaj vajzës, por pyesin çdo ditë e më shumë për shiun e lotëve të shumëkujt që ka një zë në publik, përfshirë edhe juve; për ata që u kanë fshirë diellin nga sytë viktimave të krimit të organizuar; për ata që u kanë fshirë diellin nga sytë mijëra vajzave të rrëmbyera, të trafikuara dhe të abuzuara nëpër rrugët e Europës; për ata që u kanë fshirë diellin nga sytë mijëra prindërve që i shohin fëmijët e tyre të droguar; për ata që u kanë fshirë diellin nga sytë shumë e shumë jetimëve që kanë mbetur pa baballarë, sepse ua kanë vrarë këta.

Unë nuk jam dhe e them shumë sinqerisht, aspak i befasuar nga e gjithë përkrahja e befasishme që ka gjetur as më shumë e as më pak, por elita e krimit të organizuar, sapo ne e kemi shpallur betejën më të skajshme kundër kësaj mortjeje që e ka tollovitur Shqipërinë tre dekada me radhë, që e ka tollovitur jetën publike tre dekada me radhë dhe që falë edhe të gjithë horrave e hipokritëve me kostum, që kanë pasur dhe një mikrofon në dorë e ka bërë horr Shqipërinë, edhe në sytë e shumë njerëzve që shqiptarë nuk janë, por që e ndjekin vendin tonë, apo që shkruajnë e broçkullisin e hedhin helm me kënaqësinë më të madhe për vendin tonë.

Si ka mundësi që pikërisht kur shfaqet më e qartë, më e thellë dhe më e fortë se asnjëherë në tre dekada, vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar, ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga gjitha rrugët e jetës publike, nga mediat, tek i ashtuquajturi President i Republikës, nga opozitat këtu pak çaste para meje dhe atje në rrugë, deri te Avokati i Popullit, për t’iu qarë hallin këtyre “të shkretëve” që kanë vrarë, kanë përdhunuar, kanë trafikuar çfarë kanë mundur, kanë grabitur pronat sa kanë mundur, kanë shantazhuar sa nuk merret as me mend njerëzit e zakonshëm dhe sipërmarrësit e këtij vendi dhe që me demek tani po dhunohen në të drejtat e tyre njerëzore?!

Po turp nuk ju vjen fare?

Nuk ju vjen turp fare gjithë këtyre njerëzve që kanë një mikrofon në dorë, që kanë mundësinë të dalin në një ekran, që kanë mundësinë të thonë një fjalë dhe janë bërë karvan qorrash për të bërë pelegrinazhin në drejtim të qelive ku janë kyçur një pjesë e këtyre, apo në drejtim të të gjithë atyre që s’janë kyçur akoma, duke çuar mesazhin që “ne jemi me ju”; Ju e keni me këta, ne jemi me ju, ju çfarë prisni, që t’ju zhveshin nga fuqia juaj që buron nga paraja e zezë dhe asetet kriminale? Ngrihuni, bashkohuni dhe bëni atë që duhet bërë. Mundësisht na hiqni qafe fizikisht.

Si ka mundësi që, deri kur ne shpallëm këtë ofensivë dhe deri kur lufta jonë me krimin s’e kishte marrë këtë përmasë, po këta, këto viktima të shkeljes së të drejtave të njeriut nga ky shtet policor, ishin as më shumë, as më pak, por djalli vetë në sqetullën tonë, mbi perin tonë dhe tani këta u kthyen në disa robër zoti që duhen marrë në mbrojtje, sepse janë viktimë e qeverisë dhe e shtetit policor!

Si mundet të sulmohet egërsisht nga maja e piramidës shtetërore ministrja e Drejtësisë, e cila falë pikërisht kurajës së saj ka hapur një llogari që të tjerë, jo nuk guxuan ta hapnin, por as ju shkoi ndonjëherë nëpër mend që ta hapnin! Përkundrazi, i bënin llogaritë bashkë me kriminelët.

Ka hapur një llogari pikërisht me ata, duke konceptuar, promovuar dhe ligjëruar bashkë me të gjithë ne, 41 Biss-in.

E dini çfarë është 41 Biss-i, apo nuk e keni idenë fare?

Është regjimi i izolimit të kriminelëve mafiozë në vendin fqinj, që solli aq shumë telashe për jo pak njerëz që e konceptuan dhe e ngritën atë regjim dhe ndërkohë mbrohen demonët, ata që janë të dënuar nga gjykata, jo të dyshuar nga policia, se ju s’dini çfarë flisni, ju e të gjithë ata që flasin për polici, për shtet policor. Janë të dënuar, nuk janë të dyshuar. Janë njerëz, të cilët çohen tek SPAK-u, jo si të dyshuar, por si të dënuar që posedojnë asete dhe pasuri, të cilat janë qartësisht produkt i dyshimtë, nga vijnë këto pasuri.

Si mundet që të arrihet në këtë absurd, që të konsiderohet kapje e shtetit fakti që Akti Normativ, ligji special i imponon ministrit të Brendshëm dhe autoriteteve të drejtësisë të ulen në tryezën e bashkërendimit të të gjithë këtij operacioni!

Në cilin vend të botës normale keni parë atë që ka ndodhur në Shqipëri për shumë e shumë vite, që Ministria e Brendshme, prokuroria, shërbimet, jo që nuk janë ulur kurrë me njëri-tjetrin, por kanë luftuar njëri-tjetrin? Sillni një shembull këtu dhe flasim pastaj!

Këto janë broçkulla.

Si mundet që atë që Italia e bëri në fundvitet ’80-të dhe në fillim të viteve ’90-të, që përkufizoi momentin e zbythjes së mafies dhe të shkatërrimit të saj ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë, këtu, në vitin 2020 të çohen autoritete publike, por dhe shtetërore, si ai që rri në majë të piramidës dhe kërkon revolucione dhe ta konsiderojnë mëkat të qeverisë, një mëkat aq të madh, saqë jepet si prova kuptimplotë e përfundimtare e nevojës për ta shporrur këtë qeveri!

Shumë kanë të gjitha arsyet që ta shohin këtë moment në historinë e vendit tonë si një moment “o sot, o kurrë!” dhe kanë të gjitha arsyet. Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë si në një moment “o sot, o kurrë”, sepse sot, vija ndarëse mes të shkuarës dhe të ardhmes po bëhet gjithmonë e më pafshishme me gomën e pazareve politike, kur vjen puna te drejtësia, sepse sot, gjykatësit e prokurorët e korruptuar nuk janë më garanci, siç kanë qenë për 30 vjet, por janë dhe do të jenë çdo ditë e më shumë në hallin e tyre, sepse sot është marrë një vendim solemn, në ekstrem, nga kjo qeveri dhe nga kjo shumicë, për t’i dhënë një dërrmë përfundimtare krimit të organizuar.

Krim të organizuar ka në të gjithë botën. Krim të organizuar ka në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Krim të organizuar ka në SHBA. Por krimi i organizuar qëndron në perimetrin e vet, nuk hapet sediljesh gjithandej. Doni, s’doni ju, të gjithë bashkë sa jeni dhe këtu iu drejtohem të gjithë atyre që i kanë dalë kundër kësaj pune, krimin e organizuar, ne do ta fusim brenda perimetrit të vet.

Po eksponentë të shoqërisë civile, të cilët në asnjë mënyrë nuk mund të akuzohen si bashkëpunëtorë të krimit, çfarë kanë?

Këta që jetojnë me projekte për të mbrojtur gratë e dhunuara e të trafikuara, këta që jetojnë me projekte për të nxjerrë nga rruga e varësisë prej drogës të reja dhe të rinj, këta që jetojnë me projekte për të ndihmuar integrimin e jetimëve, të atyre që janë vrarë nga armët e subjekteve të këtij ligji, çfarë kanë?

Kë mbrojnë këta?

Për kë iu qan zemra këtyre?

Për cilët këta kanë shqetësimin se po iu cenon qeveria të drejtat?

Cilat të drejta po cenon qeveria?

Çfarë e drejte cenohet nëse vjen një ditë dhe kjo ditë do vijë e po vjen çdo ditë për të gjithë ata që kanë hesape të pambyllura me ligjin dhe kjo është ajo që në mos e kuptofshin, e ndjejnë ata që janë sot më të tërbuar se kurrë, siç është ai i pari i kinostudios “Shqipëria e Re. E kam fjalën për PD-në. Në këtë pikë, respekte që e latë PD-në, se do ishit bërë pjesë e servisit të figurantëve për manifestimet.

Çfarë kërkojnë këta?

Vijimësisht në këtë foltore, qysh kur kam hyrë në këtë sallë, kam ndarë me palën që ishte këtej vërtetësisht perceptimin e opinionit publik në momente të caktuara. Po ju them sot, opinioni publik shqiptar e mbështet 72% Anti-KÇK-në.

Po ju them sot, jam i pakënaqur akoma me këtë shifër, për një arsye të vetme, sepse e di shumë mirë që shifra do të jetë më e lartë, sa më shumë mjegull t’iu largohet nga sytë shumë njerëzve që bombardohen nga marrëzia e yshtur prej 1001 arsyeve që vijnë nga të gjithë rrugët e jetës. Nuk janë njësoj, nuk janë të lidhur drejtpërdrejtë, disa kanë marrëzinë që yshten nga frika se po ju vjen dita të përballen me të shkuarën e tyre në praninë e një prokurori dhe një gjykatësi, disa kanë marrëzinë e protagonizmit që iu yshtet nga padija, disa të tjerë kanë marrëzinë e të qenit kundër, edhe kur në një rast si ky nuk është çështja kush e bën, qeveria apo një parti për të cilën s’ke votuar dhe s’do votosh kurrë, por është çështja çfarë bën dhe çfarë sjell për ty kjo dhe çfarë kupton populli dhe pse populli kupton shumë më shumë dhe shumë më shpejt, sepse dhe nëse nuk zhytet në teori, edhe nëse nuk ndjek fillin e debateve konceptuale juridike, populli ndjen. Populli ka virtytin e madh të të ndjerit të të drejtës dhe të vërtetës.

Nuk është e rastit që, ky popull, qysh nga viti 1991 nuk ka gabuar asnjëherë kur ka zgjedhur. Asnjëherë. Nuk është e rastit që, kur këtu u ngrit një zullumhane e madhe në momentin që ne filluam reformën e energjisë, populli atje e mbështeste 90%. Edhe shumë prej atyre që ishin pjesë e problemit mbështesnin reformën në energji për një arsye të thjeshtë, sepse e ndjenin që nuk vazhdonte dot më ashtu, por ajo që donin ishte barazia në trajtim. Ky është një shembull, po mund t’ju sjell dhjetëra shembuj që do t’ju ndihmonin juve si të ardhur nga opozita dhe si opozitë sot, atyre që ju sollën dhe ju lanë këtu e ikën vetë, të tjerëve që mundohen ta gjejnë arsyen pse humbin, humbin dhe do vazhdojnë të humbin tek ne, ndërkohë që arsyeja është pikërisht tek ata që nuk i tërheq dot njëri për hunde, shqiptarët që janë jashtë.

E kam mbajtur këtë fjalë shpesh herë, me gishtin nga jashtë, nuk kanë dashur të më dëgjojnë. Kjo politika që bëhet këtu, me hartime, me patetizma, me lloj-lloj broçkullash, nuk i duhet njeriu fare. Nga një vesh i hyn, nga një vesh i del dhe në rrugën nga veshi në vesh krijon një zhurmë në tru dhe një pështjellim në stomak, që e bën njeriun gjithmonë e më të neveritur e gjithmonë dhe më të prirur të mos e dëgjojë fare se çfarë flitet. Ndërkohë që çfarë bëhet atje, është ajo që ka rëndësi, prandaj ju keni dështuar, po dështoni e do dështoni, të gjithë bashkë, ju, ata. I gjithë fronti, fizikisht bashkë apo virtualisht bashkë, i kundërshtarëve apo kritikëve tanë ka dështuar e do dështojë, jo sepse ne jemi të pakritikueshëm, jo sepse ne nuk kemi gabime dhe të meta, jo sepse ne çdo gjë e kemi bërë si duhet, por sepse ju jeni një pjesë shumë e vogël e popullit, pa lidhje fare. E kur them, mundohuni të kuptoni e mos e harroni -s’e kam vetëm me ju këtu, e kam me të gjithë ju që më dëgjoni tani nga ekrani, – nuk keni asnjë lidhje, sepse nuk e ndjeni këtë popull, nuk e ndjeni këtë vend dhe nuk e ndjeni fare se çfarë do në të vërtetë ky vend e çfarë duan në të vërtetë këta njerëz.

Kjo është arsyeja, pse njerëzit janë shumë më tepër mirëkuptues me ne dhe kjo është arsyeja, pse njerëzit që kanë shumë kritika ndaj nesh, kur vjen puna për të vendosur, dinë shumë mirë të ndajnë kush bën gjithçka për të bërë më të mirën dhe ndërkohë bën edhe plot gabime dhe kush është pa lidhje. Thjesht pa lidhje, është komplet objekt fluturës i pa identifikueshëm, UFO quhet në gjuhën angleze, Unidentified flying object. Kështu janë të gjithë ata që përfaqësojnë këtë lloj fronti të larmishëm dhe prandaj njëri fluturon këtej, tjetri fluturon andej, njëri shfaqet këtej, tjetri del andej e tjetri veçse kur ja plas andej, tjetri bie në gjunjë. Unidentified flying objects që bëjnë zhurmë, që krijojnë probleme për valët e internetit dhe të televizorit, që bëjnë atë scrambling në ato ekranet dixhitale, por që përveç kësaj janë pa lidhje, nuk kanë rrënjë në këtë vend dhe çdo lidhje me vendin ku ulen, e kanë lidhje me problemin.

Po për këta gjykatësit e prokurorët që nuk e kanë kaluar vetting-un e që vetëm në vitin 2019 kanë dhënë 28 vendime haptazi të paligjshme, duke favorizuar krimin e organizuar, çfarë problemi e çfarë halli keni? Çfarë ju shqetëson juve? Apo ata duhen sepse ndërkohë që lirojnë kriminelët, ju japin juve ushqimin që të dilni me vrap nëpër ekrane e të villni vrerin kundër qeverisë, kundër meje, kundër ministres së Drejtësisë, që jemi arsyeja pse lirohen ata.

Jua tha bukur ministri i Brendshëm, ju të gjithë, – nuk jeni ju në fakt, se deri më tani nuk keni nxjerrë ndonjë fotografi, por nëpër këto klubet e mbrëmjes ku mblidhen, ku ulen UFO nga drejtime të ndryshme dhe ulen ndryshe nga UFO-t që kam parë në filmat fantastiko-shkencor, UFO-t e këtushme janë me helikë, ulen atje dhe fillojnë rrotullimin e helikës me shpejtësi të madhe dhe ngaqë nuk u koordinojnë helikat, bëhen shumë helika që rrotullohen aq sa përgjithësisht moderatorët janë pa flokë, çfarë kanë këta? Sepse duan që të dalin atje e të thonë kjo është reforma në drejtësi. U lirua një kriminel i dënuar me burgim të përjetshëm nga një noterë, apo llogaritare, apo arkëtare e KÇK-së në një buzë mali dhe ja, reforma në drejtësi ka dështuar.

Çfarë ju shqetëson juve që këta njerëz, të cilët duke menduar që vetting-un nuk e kalojnë dot, se kuptohet që nuk e kalojnë dot, thonë “kap ca të kapësh deri kur ta kesh në dorë”. E këta kapin jo thjesht thasët me para nga këta të tjerët që ju i quani të varfër e që kanë ndonjë karabina tek-tuk, apo që kanë lënë për familjen ndonjë tufë delesh, por kapin çdo ditë pronat e shqiptarëve. Prona të njerëzve, të cilët me sa kam dëgjuar, ju i përfaqësoni. Ju jeni ata që qani hallin e pronarëve të ligjshëm. Ju jeni ata që vini këtu e na merrni përpara ne komunistëve që ju shpronësuam juve. Por, në fakt, ju jeni pa dashje mbështetja më e madhe e KÇK-së dhe e grabitjes së pronave, sepse e drejtoni tytën gabim, uleni në vendin e gabuar dhe e rrotulloni helikën në hapësirën e gabuar dhe bëni një zhurmë që ndihmon vazhdimin e punës me qetësi dhe drejtësi të atyre që kapin çfarë të kapin çdo ditë.

Ralf, mos më fol për dashurinë, se je këtu shëmbëlltyra më kuptimplotë e një dashurie të kaluar në xhelozi dhe një xhelozie të kaluar në urrejtje dhe ndryshe nga ty, unë, edhe për shkak të moshës i menaxhoj këto ndjenja që ty të kanë marrë përpara, xhelozinë dhe urrejtjen. Kështu që ke fatin të jesh pranë ballit kombëtar dhe pyeti si e kanë menaxhuar kaq shumë vite, se nuk numërohen më, edhe xhelozinë dhe urrejtjen që ja u morën pulat, se për pula luftohej apo jo? Ju donit dashin, puna është që juve ju kapën nga të dy anët e brirëve të dashit dhe ju mbetët pula, por ruajeni gjendjen e pulës dhe ndihmojini këta gjelat e rinj të kuptojnë që xhelozia dhe urrejtja mund t’i kthejë dhe këta në pula. Kjo është shaka kuptohet, është pak më shumë se gjysma e të vërtetës, por shaka mbetet.

Ajo çfarë po bën konkretisht Operacioni Forca e Ligjit dhe pse Operacioni Forca e Ligjit po e bën këtë dhe pse kjo nuk ka lidhje as me shtet policor, as me mbivendosje të kompetencave, as me marrje të ndonjë kompetence, ka lidhje ekzaktesisht me atë që ne, po të kishim pasur mundësi, do e bënim me kohë e me vakt, por me kohë e me vakt nuk e bënim dot. Dje e patë që SPAK-u mori të pandehur ish Prokurorin e Përgjithshëm. Nuk hyj fare në këtë, është çështje e drejtësisë, por imagjinoni që ne të bënim këtë Aktin Normativ pa u krijuar SPAK-u, pa u bërë vetting-u dhe t’ia çonim KÇK-së në dorë e t’i thoshim që X është i dënuar sipas asaj që i ka dhënë ligji, por ka një problem, duhet të provojë që ndërkohë këto produkte pasurore që gëzon nuk burojnë nga krimi, por burojnë nga puna e tij e rëndë në mbledhjen e domateve apo të mandarinave në Itali apo në Greqi. Kjo do të ishte as më shumë e as më pak, por një kontribut i drejtpërdrejtë i Partisë Socialiste dhe i qeverisë për të rritur fuqinë financiare të KÇK-së. Sepse ata njësoj si nëpër filma, – se filmat nga realiteti burojnë, – do merrnin dosjet, do qeshnin, do i thoshin, “vllai, ku je ti të pimë një kafe?” Do vinte vllai në fjalë, që është subjekt i ligjit special, do ulej dhe do thoshte shiko çfarë kanë sjellë këta. Ta mbyllim këtë vlla, por ta ndajmë këtë punë.

Pse erdhi ky Akt Normativ sapo u krijua SPAK-u dhe nuk erdhi pak më përpara? Sepse u krijua institucioni i parë i drejtësisë me njerëz të vetuar që kanë mbështetjen e plotë të publikut dhe të partnerëve tanë ndërkombëtare dhe siç e shikoni, dosjet i marrin, i shohin dhe i çojnë në gjykatë speciale, duke konfirmuar kërkesën për sekuestro. Natyrisht, në gjithë numrin e këtyre njerëzve mund të ketë njerëz, të cilët kanë ngrënë një herë një lugë çorbë të prishur, kanë vjellë për një periudhë kohe e pastaj kanë kaluar në dietë vegjetarianë. Dhe për ata dhe për të gjithë këta që u preken të drejtat ka një proces ligjor mbas sekuestros, ku ata shkojnë me avokat dhe kanë barrën e provës, ata jo shteti. Ky është ndryshimi themelor.

Ky është ndryshimi që bëri Italia dhe që bëjnë shumë vende me armiqtë e zhvillimit të sigurisë së jetës dhe të qetësisë publike, kur puna vjen tek kapja fyt më fyt. Të provojnë që unë vërtetë janë dënuar për trafik droge, por isha thjesht një korrier dhe bëja korrierin pasi mblidhja domatet. Nëse e provojnë, nuk ka problem. Nëse nuk e provojnë, ato janë pasuri që i takojnë popullit, janë pasuri që i takojnë shtetit. Ato karabinatë e vogla, si ajo e vogla fare që ishte një karabina që po binte dhe i kishte dyert të lyera me flori, me ngjyrë floriri, ato të kthehen në asete publike. Pastaj sigurisht vazhdon procesi, se ka një tjetër pjesë të procesit më mbrapa.

Unë i kuptoj shumë mirë njerëzit që i duan të gjitha menjëherë, sepse u ka ardhur shpirti në majë të hundës, por nuk bëhen të gjitha menjëherë, duhet shumë mundim, duhet shumë durim, duhet shumë rezistencë, sepse vërtetë, ne reformën në drejtësi e filluam të fundit nga gjithë Europa, por sot, ne e kemi bërë në kaq pak kohë atë që asnjë vend, minimalisht, i Ballkanit nuk e ka bërë akoma e po ua kërkojnë tani ta bëjnë dhe vende që janë në Bashkimin Europian filluan ta bëjnë kur hynë në Bashkimin Europian.

Ne akoma nuk kemi hapur negociatat dhe këtë që nuk kemi hapur negociatat e dinë shumë mirë të gjithë, e di shumë mirë dhe ky figura që çon letra gjithandej për të lobuar për hapjen e negociatave dhe jep gjithë arsyet, pse nuk duhen hapur negociatat, sepse në momentin e hapjes së negociatave, Europa nuk mund t’i thotë Shqipërisë që duhet ndryshuar Kushtetuta, duhet bërë kjo paketë ligjore, duhen ndryshuar këto ligje, siç kanë bërë vende të tjera, por i thotë ti i ke bërë të gjitha këto, ne nuk kemi çfarë ju kërkojmë më për çfarë ka në letër, tani na tregoni që ju jeni të gatshëm të përballeni me të gjithë dhe që drejtësia në Shqipëri funksionon njësoj për të gjithë. Këtë e dinë këta që udhëheqin revolucionet imagjinare, që puthin flamurin, që tundin flamurin e tjetrit pa leje e kështu me radhë.

Është e vërtetë, reforma në drejtësi, paketa Anti-KÇK, lufta e pa precedent kundër pasurive të krimit, lufta e paprecedent kundër organizatës kriminale brenda sistemit të drejtësisë të gjykatësve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar vetting-un është fytyra e kësaj qeverie, është e vërtetë, 100%. Kjo është fytyra e kësaj qeverie.

Mos u bëni qesharakë që, kur thoni i çuan letrat këtij, thoni edhe ky është i këtij, – i imi, domethënë – ky tjetri është i asaj, ky tjetri i kësaj. Ne, këtë ditë kemi pritur. Ky vend këtë ditë ka pritur, që i kujtdo qoftë dhe nga do ardhtë “ky, ai, ajo”, kur vjen puna tek ligji, aty ndahen. Edhe sikur të gjitha këto të ishin të vërteta, si qenkemi ne kaq të lidhur e kaq të zhytur, kur ne kapkemi dhe shkelkemi të drejtat njerëzore të atyre që qenkan tanët e tani na dolët ju të gjithë që po mbroni ata që janë tanët. Po, është e vërtetë, ju i doni jashtë ata. Ju ata i doni të patrazuar që natën, kush ka punë, me ta i bën, ditën na sulmoni ne për ta.

Ka 30 vjet bëhet politikë me krimin. Të bësh politikë me krimin, e thonë të gjithë, do të thotë të mbështesësh krimin. Është shumë e thjeshtë, kush bën politikë me krimin, mbështet krimin dhe shikoni Italinë në atë fazë. Kush kanë qenë njerëzit më të sulmuar nga të katër anët për korrupsion, për imoralitet, për bashkëpunimin me krimin? Ata, të cilët ju kundërvunë mafies dhe shikoni edhe prokurorët e vrarë se çfarë ju kanë bërë lloj – lloj gazetarucësh dhe lloj – lloj bashibozukësh të krimit, duke i sulmuar si avangardën e të keqes. Arsyeja pse sulmohemi ne prej kaq vitesh është se kemi hapur luftë reale. Ne nuk kemi hapur një luftë për ta lënë as përgjysmë, as rrugëve dhe natyrisht për ta bërë reale luftën, duhet një strategji e tërë që ne e kemi pasur që në krye të herës dhe po zhvillohet pak nga pak, por ka dhe pjesë të tjera që nuk i keni parë dhe do t’i shikoni, për të rrethuar të keqen, për ta rrethuar krimin e për të rrethuar kriminelët në sistemin e drejtësisë e për t’ju marrë frymën. Ky është qëllimi. Ne nuk e kemi fshehur këtë qëllim.

Ka edhe një problem tjetër. Një pjesë tjetër që nuk ka lidhje me krimin, shikojnë atë vajzën me syze, shohin që nuk bie shi dhe thonë po kur të fillojë shiu mbi ne, si i bëhet? Se vërtetë, edhe ne kemi shtëpia, kemi makina, kemi familjarë të pasur shumë, do të na vijë radha, se kur këtu erdhi puna që ju erdhi radha atyre që dukeshin të paprekshëm e që kishin marrë peng dynjanë dhe që shkonin me 14 fuoristrada të blinduara në mes të vajzave dhe të djemve e nxirrnin pushkë nëpër plazhe, sikur ishin nëpër filma me kauboj, po ne?

Ju mos u shqetësoni fare, sepse, në radhë të parë, që do të vijë dita, do të vijë, është më afër sesa duket për të gjithë ne këtu. Unë i pari, pastaj për të gjithë të tjerët këtu, por edhe për ata që janë jashtë do të vijë dita që do të duhet të provojnë që nuk vijnë nga zullumi. Unë mezi e pres atë ditë, sepse ndryshe nga ç’flitet këtu dhe më vjen shumë keq, sinqerisht, kur shoh edhe disa nga ju, që përtej të gjithë kritikave që keni, kundërshtive që mund të keni, mllefit që keni, i bëni një dëm shumë të madh vetes tuaj, kauzës suaj, – e cila është si puna e atyre sferave me helikopter – dhe politikës në tërësi, duke u drejtuar këtej dhe duke thënë “ju kriminelët”, “ju bëni telefon me ata”, “ju… ju… ju…”. Nuk ka “ju… ju…”. Këtu e keqja dhe balta i bie të gjithëve, ndërkohë që nuk jemi të gjithë njësoj. Mund të kemi mustaqe, por i kemi ndryshe, p.sh, edhe aty ku duket sikur kemi të njëjtën gjë. Jemi të një gjinie, por jemi ndryshe, jemi gjini të ndryshme dhe vijmë nga rrugë të ndryshme. Si qenkemi të gjithë njësoj!

Ka një ndryshim të madh dhe kjo duhet të kuptohet nga të gjithë. Kush nuk është i dënuar, nuk ka lidhje fare me OFL-në. Edhe kriminelë, të cilët janë aktivë, këtu apo jashtë dhe nuk kanë asnjë dënim fare, nuk janë objekt i këtij ligji. Ky ligj është shumë i thjeshtë. Unë di që ti je dënuar me dënim të formës së prerë dhe dënimin e ke për vete dhe nuk kam punë me gjyqin tënd, apo nuk kam ndërmend të bëj gjyqin tjetër. Shteti të thotë trego nga i ke këto pasuri.

Ne dhe të gjithë ata që janë subjekt i deklarimit të pasurive kemi një institucion që na kontrollon çdo vit dhe çdo vit, ne bëjmë deklarimin e pasurisë sonë. Ama, nëse nesër vjen dita që dikush nga ne të shkojë përpara prokurorit apo gjykatësit, nuk diskutohet që ajo dosja e deklarimeve do merret dhe do fillojë avazi. Por me këtë nuk merret policia. Këtë e them për shumë njerëz që thonë përse e filloni nga këta. Po nga kush ta fillojmë? E kur thonë pse e filloni nga këta, duket sikur e kemi filluar nga të varfrit, duket sikur e kemi filluar nga të pambrojturit, duket sikur e kemi filluar nga një shtresë e persekutuar në të drejtat e veta, jo sikur e kemi filluar pikërisht nga llumi i llumit. Pse e filloni nga këta, pse merreni me popullin? Pse popull janë këta?! Ç’lidhje kanë me popullin këta! Këta i kanë ndenjur popullit në qafë për 30 vjet.

Thonë pse nuk e filloni nga politikanët. Imagjinoni sikur ta fillonim nga politikanët, unë dhe kjo qeveri e poshtër, me këtë ministër të Brendshëm nazist, sipas shumëkujt, që ju hedh gaz serb revolucionarëve që duan një Shqipëri të lirë, jo vetëm që do të kthehej viti 1945, largqoftë, por do të ishte një ’45-së në një valë 5G. Kështu që kjo as nuk mund të ndodhë, as nuk duhet ta çojë njeri nëpër mend, pavarësisht mllefit, shqetësimeve apo inatit që mund të ketë shumëkush me politikanët, apo politikanë të caktuar, sepse kjo nuk është drejtësi. Kjo pastaj është fundi i drejtësisë. Kjo nuk është ta çosh Shqipërinë përpara dhe ta bësh një vend të drejtë europian. Kjo është ta zhysësh shtatë pashë nën dhe.

Ashtu sikundër thanë pse nuk e fillove me gjykatësit, me prokurorinë. E kam thënë dhe stërthënë që mos u deprimoni nga fakti që vetting-u i largon dhe këta vazhdojnë jetën. Shumëkush thotë pse ky paska qenë vetting-u, ne prisnim që këta të shkonin në burg, ndërsa këta thjesht po i largojnë nga puna dhe këta i kanë lekët e bëhen avokatë. Por vetting-u nuk është gjykatë për të të dënuar mbi bazën e një hetimi penal. Vetting-u është një komision verifikimi që të thotë se ti nuk je për këtë punë, sepse nuk të përputhen letrat, nuk të përputhen faktet, nuk të përputhen të vërtetat. Pasi dikush largohet, një tjetër kalon sepse i përputhen dhe ata që kalojnë futen në arkitekturën e re të drejtësisë. Pastaj janë ata, të cilët thërrasin ata të tjerët dhe u thonë e ke mospërputhjen të madhe shumë, prandaj na thuaj nga vjen kjo punë. E patë, filloi dje dhe do të vazhdojë. E thotë edhe Bundestagu, – se Bundestagun e keni bërë si Moskën dikur, kur thoshin e tha Radio Moska, – fillimi i hetimit për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që kanë dalë jashtë nga vetting-u.

Ka një dallim dhe nuk jemi të gjithë njësoj. Një popull i tërë që ka 30 vjet që rropatet në emigracion, apo këtu në Shqipërinë që punon dhe po të dëgjosh Parlamentin, po të dëgjosh këta që e vetmja punë që kanë është të vjedhin dhe të shpifin, patjetër që Shqipëria është vendi që është atdheu i të keqes, atdheu i krimit, atdheu i korrupsionit. Por në fakt nuk është kështu. Shqipëria reale është Shqipëria që punon me të gjitha sakrificat e nevojshme dhe është normal, nëse unë shkoj me disa kolege këtu dhe vizitoj në një zonë që deri dje kishte vetëm ferra, një komunitet që eksporton 2 milionë euro në vit produkte të asaj toke, patjetër ata që shohin nga ERTV thonë ky është “ekrani i propagandës”, “ku ka eksport 2 milionë euro”. Sipas tyre, këtu kanë ikur të gjithë dhe ka mbetur “qeveria e krimit”, Vojo amerikani që ka marrë përsipër t’i kthejë të gjithë nga Gjermania, nga Italia, nga Anglia, nga Amerika dhe të rimarrë fatet në dorë, duke puthur pa leje flamurin amerikan.

Por në fakt jo. Të gjithë këta kanë punuar, janë rropatur, kanë kursyer. I mbani mend ata në emigracion kur kanë vajtur, nuk i ka pritur njeri krahëhapur, nuk i ka dhënë njeri ndonjëherë kartën e qëndrimit, kartën e sigurimit shëndetësor, kartën e pensionit, as nuk i ka dhënë kush menjëherë adresën ku të çojë fëmijët në shkollë. Kanë bërë lloj-lloj punësh, në të zezë si skllevër nëpër tokat e botës për të mbledhur mandarina, portokallë, domate, kastravecë, si skllevër nëpër kantieret e ndërtimit, kudo dhe natyrisht nuk i kanë marrë paratë e skllavërisë t’i fusin nëpër banka, sepse nuk i paguante njeri shqiptarët për vite me radhë me bankë. Ata një ditë hanin, një ditë nuk hanin, ushqenin fëmijët dhe i çonin lekët këtu, një pjesë i kursenin atje. Këtu po ashtu, 10 vjet nuk kemi pasur një bankë private të sigurt dhe ato para që u krijuan këtu u fundosën në Wall Street-in e atij që ju e njihni, e doni, nuk ju ndahet zemra dhe kur ju dëgjoj që thoni Luli e ka gabim, po ai tjetri…, Wall Street-i i atij që thoshte kur shihte Lanën, se ky është lumi i parë i kapitalizmit shqiptar dhe kur u thoshte futuni tek Vehbiu, Sudja, – u bë Vehbiu si Adam Smith – dhe i humbën.

Dhe jo vetë kaq, por edhe sot, kur duan të çojnë para në Shqipëri me bankë, kalojnë nëpër disa procese kontrolli, sikur kanë kryer të gjitha krimet që kryhen në Angli brenda një viti, apo në Holandë, Francë. Njerëz të zakonshëm fare dhe kur duan të blejnë shtëpi këtu, u shkon pastrimi parave “ku i gjete”. Normal, kështu është ligji.

Të gjithëve, përveç nesh dhe familjarëve tanë, përveç gjykatësve e prokurorëve dhe familjarëve të tyre, përveç drejtuesve të policisë e familjarëve të tyre dhe përveç të gjithë zyrtarëve të lartë që janë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe familjarëve të tyre, do t’u japim mundësinë e një amnistie të përgjithshme fiskale dhe penale, që paratë e tyre t’i fusin në bankat shqiptare e të mos kenë frikë fare të thonë “po, unë jam ai që i kam këto dhe i kam bërë në emigracion” dhe me këto unë do të investoj. Natyrisht me afat dhe me paralajmërimin e qartë, nëse nuk doni të përfundoni në gojën e asaj vajzës me syze dielli, hapini sytë mirë, drejtimi është ky, formalizo të ardhurat, formalizo asetet, sepse paralelisht me këtë, ne do të kalojmë ligjin për penalizimin e atyre që nuk e bëjnë formalizimin dhe jo vetëm kaq, por paralelisht, ne do të hyjmë edhe në rrjetin europian të kontrollit të aseteve e të ardhurave edhe nga jashtë Shqipërisë. Kështu e kanë gjithë vendet. Nëse sot je një sipërmarrës dhe do t’i bësh një shtëpi çunit në Spanjë, p.sh, dhe shpinë e bën atje, por e nuk deklaron këtu, nesër do ta kesh të pamundur të mos e deklarosh. Shumë e thjeshtë, do të deklarosh e do të paguash, si e gjithë bota.

Dëgjova disa nga këta të shqetësuarit si do të bëhet kjo se kjo tregon se është dobësi administrative”. Kjo do të bëhet si po themi ne. Siç janë bërë, do të bëhen të gjitha. Neve, sa më shumë flisni ju dhe të gjithë ata që flasin, aq më shumë na kalitet durimi. Ende nuk ka filluar të na vijë ajo pjesa që i vjen njeriut, thonë, që do lutemi për ju, por një gjë është e sigurt, ju respektojmë, ju dëgjojmë, ju lexojmë, reflektojmë për aq sa e shohim të arsyeshme, por ama ne udhëheqim dhe ne nuk presim, nuk rrimë dot në vendnumëro, nuk kthehemi dot e të themi prit një minutë se ikëm shumë përpara dhe si i bëhet që t’i japim garës një çikë tension. Nuk e hapim portën për të lënë gola vetë. Asgjë nga këto.

Ne udhëheqim, do vazhdojmë të udhëheqim dhe bilancin do ta bëjmë kur t’i vijë dita, vitin e ardhshëm dhe aty, ju do të keni rastin, edhe në herë tjetër të provoni fjalët që ju thashë unë, nëse nuk do të kuptoni që këtë kohën këtu, atë kohën ata të tjerët kur kanë mikrofon, apo tjetri e tjetri kur del nëpër klubet e mbrëmjes, nuk e përdorni për ata për të cilët dilni. Sepse ata mund të jenë të pashkollë, mund të jenë të pavëmendshëm, të painteresuar të dëgjojnë argumente se kanë punë të tjera, ata mund të jenë gjithfarë, por shqiptarët nga pikëpamja politike janë raca më politike që ka kontinenti europian. Nuk ua ha qeni shkopin dhe nuk ka qen që ua tregon shkopin për flamur.

Faleminderit!

FOTO GALERI
1/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA