Pritja merr fund. UEFA, pavarësisht emergjencës së coronavirusit, këtë të enjte nxori në shitje biletat e finales së Ligës së Kampioneve që do të zhvillohet në Stadiumin Olimpik Ataturk të Stambollit me një kapacitet prej 72 mijë vendesh në 30 maj, një proces ky që do të zgjasë deri në 12 mars në orën 14:00.
Biletat do të shiten në faqen zyrtare të internetit të qeverisë evropiane të futbollit uefa.com dhe çmimi minimal i tyre është 70 Euro.
Tifozëve dhe publikut do t’u rezervohet numri më i madh i biletave, 6000 do të jenë në dispozicion të tifozëve neutralë nga e gjithë bota, ndërkohë që 40 mijë bileta janë për tifozët e skuadrave që do të arrijnë në finale, nga 20 mijë secila.
Pas konsultimit me rrjetin e pavarur Football Supporters Europe, UEFA ka fiksuar të njëjta çmime dhe të njëjtat kategori si të finales së Ligës së kampioneve të vitit të kaluar. Kostot e shpërndarjes së tyre janë të përfshira në çmimin e biletave, kështu biletat e kategorisë 4 kushtojnë 70 Euro, të kategorisë 3, 180 Euro, të kategorisë 2, 450 Euro dhe të kategorisë 600 Euro. Çmimet e biletave për personat me aftësi ndryshe kushtojnë 70 Euro.
Top Channel