“Nëse brenda 15 Marsit të kemi një dakordësi politike për të gjitha çështjet, mund të marrë 2-3 javë, qoftë dhe një muaj procedura e zbardhjes së tekstit, aprovimi në Kuvend”, shprehet Gjiknuri.

Kjo deklaratë e Damian Gjiknurit me një afat të ri kohor, për miratimin e reformës zgjedhore, ka vënë në lëvizje presidentin Ilir Meta, i cili vendosi si kohë pritje për një dekret shpërndarje të parlamentit 15 Marsin, datë kur parashikohej që kjo reformë, do të shkonte për tu votuar në parlament.

Presidenti Ilir Meta avancon përpjekjen e tij për ta mbajtur gjallë e rritur aksionin, politik të pagëzuar si pranvera Kuq e Zi, nisur nga manifestimi 2 Marsit. Pasi mblodhi përkrahësit e tij në bulevardin dëshmorët e kombit, presidenti ka paralajmëruar se do ta shikojmë në tubime të ngjashme në të gjithë Shqipërinë.

Këtë presidenti e paralajmëroi përmes këtij statusi paraditen e të Mërkurës ku thotë: “Mos u lodhni kot me konspiracione, pasi ai do të vijojë të jetë në detyrë deri në fund të mandatit në 24 korrik 2022, në mbrojtje të Kushtetutës, lirisë dhe demokracisë!”.

“Nuk synoj, as për Kryeministër, dhe as për kryetar opozite deri atëherë. Por nga 2 marsi unë kam zbritur në shesh dhe do të vazhdoj shesh më shesh, në të gjithë Shqipërinë derisa të rivendosim vullnetin e sovranit në çdo institucion. Po, qeveria duhet të ketë frikë nga populli, jo populli nga qeveria”. Ilir Meta president i Shqipërisë”.

Në një kohë kur presidenti Ilir Meta, ia ka lëshuar ultimatumin maxhorancës, numri dy i PS Taulant Balla, i përcolli një mesazh duke ia rikujtuar se është nën hetim nga parlamenti.

“Presidenti në gjuhë popullore i vjen anash Kuvendit, për të shpërndarë atë. Meta duhet të kuptojë qartë se është nën hetim nga Kuvendi i Shqipërisë. Deklarata se pas 15 marsit do të shpërndajë parlamentin, është qesharake. Sulltan novruzi”, shprehet Taulant Balla./ Muhamed Veliu/

Top Channel