Laçi “hakmerret” ndaj Bylisit, më pranë Europës

04/03/2020 18:10

Laçi hakmerret ndaj Bylisit për eliminimin nga Kupa. Kurbinasit triumfuan 2-1 në sfidën hapëse të javës së 25-të të Superiores dhe ngjiten në kuotën e 21 pikëve, duke u konfirmuar mes skuadrave kryesuese të kampionatit. Për skuadrën e drejtuar nga Armando Cungu, që ishte e favorizuar edhe nga kalendari, kjo ishte fitorja e tretë radhazi, që e afron edhe më shumë me Europën.

Vendasit luftuan fort, duke u shfaqur dominues në lojë që në minutat e para, por tentativat e Lushkjes, veçanërisht ajo e minutës së 14-të, nuk sollën zhbllokim rezultati.  Në fakt, kurbinasit kishin mundur ta dërgonin topin në rrjetë me Nwabuezen që në minutën e 9-të, por goli u anulua për prekje të topit me dorë nga sulmuesi i Laçit. I pafat Ditmar Bicaj në minutën e 32-të. Goditja e mbrojtësit të Bylisit gjeti shtyllën.

Pas një pjese të parë pa gola, takimi u zhbllokua në minutën e 57-të nga Bedri Greca, që shtyu drejt rrjetës topin e pritur nga Isli Hidi pas gjuajtjes nga distanca të Xhixhës 1-0.

Vetëm 5 minuta më vonë Gjoni prek në mënyrë naive topin me dorë në dyluftimin me Bicajn, duke i dhënë mundësinë Mazzones të realizonte nga pika e bardhë e penalltisë, 1-1

Laç nuk mund të pajtohej me barazimin dhe pas presionit të vazhdueshëm arriti të kalonte për herë të dytë në epërsi, këtë radhë me Rapon (86’), pas një dështimit të Hidit për të larguar rrezikun nga zona.

Ballshiotët u hodhën në sulm në minutat e mbetura për të shmangur humbjen, por rezultati nuk ndryshoi, duke çtensionuar në fund trajnerin Armando Cungu, dëshironte me çdo kusht fitoren e skuadrës së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA