Coronavirusi vazhdon të shkaktojë kaos në kalendarin e futbollit italian. Është shtyrë për një datë të mëvonshme sfida e dytë gjysmëfinale mes Juventusit e Milanit në Allianz Stadium.
Ky është vendimi i marrë në fund të një takimi të organizuar nga prefekti Palomba me Kuestorin, kryetaren e Bashkisë së Torinos Appendino dhe përfaqësuesit e Juventusit. Sfida ishte parashikuar të zhvillohej me dyer pjesërisht të mbyllura ku u ndalohej hyrja qytetarëve nga rajonet e Lombardisë, Venetos dhe Emilia Romagnës, si dhe atyre që jetojnë në provinca e Savonës dhe Pesaro-Urbinos. vendimi u mor pasi u studiua situata e përgjithshme ku u arrit në përfundimin se rreziku i përhapjes së virusi mes 40 mijë tifozëve ishte konkret.
Të njëjtin fat duket se do të ketë edhe gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Italisë mes Napolit dhe Interit në San Paolo. Edhe kjo ndeshje ishte parashikuar të zhvillohej normalisht me dyer pjesërisht të mbyllura, por që në fund nuk do të luhet për shkak të emergjencës coronavirus. Kjo situatë e vështirëson akoma më shumë punën e institucioneve më të larta të futbollit italian që do të duhet të përballen jo vetëm me çështjen e gjetjes së datave të ndeshjeve të shtyra të kampionatit, por edhe ato të gjysmëfinaleve të Kupës së Italisë
Top Channel